Debatet për projektin turistik në Zvërnec vijojnë të shoqërohen me përplasje politike. Pas protestës së zhvilluar këtë të shtunë në zonën e mbrojtur, ka reaguar edhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla ngriti pikëpyetje mbi praninë e disa personave që morën pjesë në tubim, duke pretenduar se mes protestuesve kishte edhe shtetas të huaj. Ai publikoi fotografi të automjeteve me targa serbe dhe sugjeroi se një pjesë e pjesëmarrësve nuk ishin banorë të zonës së Zvërnecit.

Sipas Ballës, mbetet e paqartë arsyeja pse persona nga jashtë Shqipërisë do të përfshiheshin në një protestë që lidhet me një projekt zhvillimi në bregdetin e Vlorës.

“Ja dhe ata që pretendojnë se e duan më shumë Shqipërinë, i paskan sjellë protestuesit në Zvërnec. Çfarë lidhjeje kanë makinat me targa serbe dhe shtetasit serbë me këtë protestë?”, shkroi ai në reagimin e tij publik.

Deklaratat e Ballës vijnë pas manifestimit të organizuar kundër ndërtimit të resortit turistik në Zvërnec, një projekt që ka shkaktuar diskutime të shumta në opinionin publik. Kundërshtarët e investimit shprehen se ai mund të ketë pasoja për ekosistemin dhe karakterin e zonës së mbrojtur, ndërsa mbështetësit argumentojnë se projekti do të sjellë zhvillim ekonomik dhe nxitje të turizmit në rajon.

Protesta mblodhi qytetarë, aktivistë dhe përfaqësues të organizatave mjedisore, të cilët kërkuan rishikimin e projektit dhe më shumë transparencë mbi ndikimin e tij në mjedis.