Dy persona kanë rënë në prangat e policisë, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim pasi akuzohen se kundrejt shumave të parave transportonin emigrantë  të paligjshëm drejt kufirit me Greqinë. 

Të arrestuarit janë një 56-vjeçar dhe një 24-vjeçar, të cilët u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Kukës, duke transportuar me 2 automjete, 12 emigrantë, të cilëve, kundrejt shpërblimit monetar, iu kishin premtuar transportimin nga kufiri grek, me qëllim kalimin e tyre në pikat kufitare, me destinacion final vendet e BE-së.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Relay”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit. Vihen në pranga 2 shtetas që u kapën në flagrancë duke transportuar 12 emigrantë, kundrejt fitimit, me qëllim që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. Shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tyre. Sekuestrohen 2 automjete dhe 2 aparate celulare.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune hetimore ndjekur me metoda proaktive, organizuan dhe finalizuan operacionin “Relay”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve B. M., 56 vjeç dhe M. M., 24 vjeç. Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Kukës, duke transportuar me 2 automjete, 12 emigrantë, të cilëve, kundrejt shpërblimit monetar, iu kishin premtuar transportimin nga kufiri grek, me qëllim kalimin e tyre në pikat kufitare, me destinacion final vendet e BE-së.

Në vijim të veprimeve hetimore, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit Sh. K., 40 vjeç, dhe E. S., 22 vjeç, të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Vijon puna për kapjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të rastit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.