Pushimet e Perry Beenen nga Veldhoven, Holandë, në Shqipëri u kthyen në një përvojë të frikshme. Ai dhe familja e tij kishin ardhur për plazh dhe eksplorim, por një aksident rrugor në jug të vendit më 6 gusht përfundoi me arrestimin e tij dhe gjashtë ditë në qeli.

Pasi makina me qira u përplas ballë për ballë me një tjetër automjet, policia shqiptare e shoqëroi Perry-n në komisariat dhe më pas e akuzoi për “shkaktim aksidenti me plagosje”. “Në Holandë thjesht plotëson një formular dëmshpërblimi, por këtu gjithçka ishte kaotike. Pak para se të më fusnin në furgonin e policisë, munda ta shikoja gruan time për herë të fundit,” tregoi ai për mediat holandeze.

Perry përshkroi kushtet në qeli si të rënda: “Ishin batanije të vjetra, tualet i vogël dhe mbetje të jashtëqitjeve të minjve.” Gruaja e tij, Annelies, pagoi rreth 12 mijë euro për lirimin me kusht.

Ministria e Jashtme holandeze ka paralajmëruar turistët për rrezikun e arrestimeve pas aksidenteve rrugore në Shqipëri, duke theksuar se procedurat ligjore janë ndryshe nga ato të Bashkimit Evropian dhe mund të çojnë në pasoja të rënda.