Abuzimet seksuale   


Mësuesit dhe prindërit, në “sitë” për ndonjë precedent a sjellje të pahijshme në të kaluarën


Nora MalajPërdhunimi i nxënëses 12-vjeçare në ambientet e brendshme të shkollës, në Divjakë si edhe rasti i 80-vjeçarit, që akuzohet se ka ngacmuar seksualisht një të mitur, në qytetin e Korçës, kanë “çuar” në këmbë Ministrinë e Arsimit. Me urdhër të ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, në MAS është ngritur një grup pune, i cili ka nisur punën për hartimin e një manuali mbi shërbimin psikosocial në shkolla, ku përfshihet psikologu dhe punonjësi social, për herë të parë profesion i rregulluar me ligj edhe në vendin tonë. Sipas të dhënave zyrtare anëtarë të këtij grupi janë: Pedagogë të Fakultetit të Shkencave Sociale, përfaqësues të shoqatave, që mbrojnë të drejtat e fëmijëve, përfaqësues të institutit të zhvillimit të arsimit, specialistë të MAS, të cilët më pas do të trajnojnë mësues dhe prindër në lidhje me tema të ndryshme, që cenojnë sigurinë dhe shëndetin e fëmijëve në shkolla. Tanimë nuk do të testohen vetëm psikologët, por edhe mësues, prindër dhe nxënës, për ta parë dhe gjetur problematikën brenda një zinxhiri të plotë, jo vetëm në një hallkë të tij. Kjo është edhe arsyeja pse MAS ka hartuar një udhëzim, që parashikon krijimin e dosjeve personale të mësuesve, nxënësve dhe prindërve, për të pasur një panoramë të qartë për secilin prej tyre që në vogëli e në vazhdim, me qëllim evidentimin e ndonjë precedenti të pa denjë në të shkuarën. Kjo është vetëm një prej nismave për t’i dhënë fund këtij fenomeni të turpshëm, ndërsa tjetra është krijimi i manualit, që do të përfshijë trajnime, vlerësime, kualifikime, testime të vazhdueshme gjatë vitit shkollor, posaçërisht për të kuptuar dhe njohur nga afër rolin dhe sjelljen e secilit aktor në sistem. Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, sqaron për gazetën “Shqip” se MAS e pranon faktin që roli i psikologut dhe i mësuesit mund të ketë problemet e veta, por thekson se nuk është vetëm psikologu apo roli i tij që duhen analizuar apo ndëshkuar, pasi zbardhen ngjarje të neveritshme si këto, por i gjithë sistemi dhe mekanizmi i munguar për zbulimin, parandalimin dhe trajtimin e fenomenit. “Natyrshëm në media përcillet lajmi i tmerrshëm për të gjithë ne, ndërsa me këmbëngulje kërkohet të gjendet fajtori që sipas opinioneve që dëgjojmë është përgjegjës ose psikologu ose Ministria e Arsimit. Kjo nuk është aspak e vërtetë dhe as e drejtë. Gjykoj se ne si shoqëri duhet të mësohemi që kur përballemi me ngjarje të trishta si këto të kërkojmë me forcë gjetjen e një zgjidhje. Të kërkojmë që këto ngjarje të mos ndodhin më. Të kërkojmë rrugën për të shpëtuar nga ky fenomen i turpshëm, që me siguri është përgjegjësi e shumë aktorëve. Së pari, e familjes, së dyti e institucionit arsimor dhe së treti e psikologut. Pra, produkti vjen nga familja nëpërmjet prindërit, nga pushteti lokal, nga shkolla, nga arsimi, por jo vetëm nga arsimi. Është një punë e madhe bashkëvepruese”, sqaron zëvendësministrja e Arsimit, për gazetën “Shqip”. Sipas saj, roli i psikologut herë pas here keqkuptohet, sepse nuk është psikologu ai që zbulon përdhunimin, psikologu në varësi të temave të përditshme apo të atyre që konsiderohen tabu ngre diskutime mbi pasojat që shkakton një fenomen i caktuar. “Më në fund do të kemi një manual, një paketë të plotë organizimi për funksionimin e rolit të psikologut, të mësuesit, ku do të përfshihen testime, trajnime, kualifikime, vlerësime dhe një plan pune veprimi në të gjithë Shqipërinë për të realizuar hap pas hapi dhënien, marrjen dhe mbrojtjen e të dhënave personale të nxënësve, mësuesve, prindërve dhe psikologëve. Shpresa Mezini