Në vend qarkullon mushkonja që përhap sëmundjen
Shfaqet pas 50 vitesh, sëmundja e malaries në Shqipëri. Mjekët infeksionistë japin alarmin për përhapjen e kësaj sëmundjeje, pasi në vend qarkullon mushkonja, e cila është mbartëse e sëmundjes së malaries.
Ndërkohë shefi i Pavijonit të Sëmundjeve Infektive në QSUT, Dhimitër Kraja, tha se po shtohen rastet, por deri më tani ato janë menaxhuar mirë.
“Rastet e paraqitura gjatë këtij viti janë rreth 7. Pritet që mund të vijnë edhe raste të tjera nga vendet fqinjë, por janë raste sporadike, të rralla dhe të mirëtrajtueshme”, thotë Kraja.
“Përveç rasteve të importuara të malaries nga Afrika, prej punëtorëve shqiptarë që punojnë atje, kemi vënë re raste të diagnostikuara të shqiptarëve nga Greqia. Janë raste të pakta, por përbëjnë zile alarmi për të kuptuar që këto sëmundje vërtiten pranë nesh, ndaj duhet të jemi të vëmendshëm”, u shpreh Arjan Harxhi, mjek infeksionist. Harxhi sqaron se pas 50 vitesh rishfaqjeje, sëmundja e malaries ka ndryshuar formën e saj klinike dhe nëse pacientët e prekur nuk paraqiten në kohë, atëherë u rrezikohet jeta. “Sot malaria nuk është siç ka qenë para 50 viteve, mund të jetë thjesht me një temperaturë, me ethe, me dhembje koke, por qytetarët duhet të jenë të ndërgjegjshëm, nëse lidhin riskun e stilit të jetesës së tyre, me një shfaqje të temperaturës duhet të paraqiten pranë mjekut infeksionidt, sepse diagnoza është e veçantë”, u shpreh Harxhi.
Ministria e Shëndetësisë kërkon bashkëpunimin e pushtetit vendor dhe të Ministrisë së Mjedisit për të marrë masa për dezinfektimin e mjedisit, sidomos në zonat bregdetare, veçanërisht në laguna dhe atje ku janë krijuar zona kënetore, të cilat janë shndërruar në vatra të larta infeksioni për shkak të qarkullimit të mushkonjave që përhapin sëmundjen e malaries dhe ethet e Nilit.
Rreziku: Pas 50 vitesh rishfaqjeje, sëmundja e malaries ka ndryshuar formën e saj klinike dhe nëse pacientët e prekur nuk paraqiten në kohë, atëherë u rrezikohet jeta