Në Gjykatën Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbahet seanca e dosjes “Partizani”. Siç raporton gazetarja Anila Hoxha, mbrojtja po parashtron fakte për të kundërshtuar akuzën e SPAK, ndërsa fjalën e ka marrë Jamarbër Malltezi i cili lexon 200 faqe kundërshtime.
“Nuk është ndjekje penale, por përndjekje politike. Ka shkelje konventore ndërkombëtare. Qysh në 1215, Magna Carta ndaloi akuzat pa baza dhe dënimet pa fakte. Sot kemi një situatë të tillë. Enkeleda Millonai është emëruar nga Taulant Balla, i cili ka kallëzuar dosjen në emër të Partisë Socialiste. Prokurori Arben Kraja ka qenë hetues i Sigurimit të Shtetit. Unë kam qenë një nga studentët që e kanë kundërshtuar sistemin komunist sepse grabiste pronat e qytetarëve dhe si e tillë ai nuk mund të jetë objektiv në këtë gjykim”-, tha Malltezi.
“Kërkoj t’i tërhiqet vërejtje sepse objekti i këtij gjykimi nuk është akuza ndaj prokurorëve. Kërkoj që i pandehuri të bëjë parashtrime bazuar mbi faktet e këtij procesi”, u shpreh prokurorja e SPAK, Enkeleda Millonai.
Gjykata i jep të drejtë SPAK, ndalon të pandehurin, Jamarbër Malltezi, të përdorë terma që nuk lidhen me objektin e gjykimit. Më herët GJKKO ndaloi Malltezin t’u drejtohej prokurorëve të SPAK si “prokurorë politikë”.
“Prokurorët politik e kam artikuluar edhe më parë pse qenka sakrilegj tani? Po deshët shtoni një akuzë të re për agjitacion e propagandë, se kemi të pushkatuar më parë”, u kundërpërgjigj Malltezi.
Pas disa ndërhyrjeve të gjykatës Malltezi zëvendëson fjalën “prokurorët politik” me “prokurorët pika pika”.
“Fakt është edhe ky”, u shpreh Malltezi duke treguar gazetën greke që botoi vendimin e gjykatës për dënimin e Irena Gjokës në shtetin helen për falsifikim dokumentesh.
“Irena Gjoka ka fshehur faktin që ishte shkarkuar nga Sali Berisha në 1996. Prokuroria e Përgjithshme, qysh në raportimin në Kuvend ka deklaruar se vendimi me vulë apostile që provon se Irena Gjoka është dënuar, është autentik. Kjo do të thotë që PP e kishte provuar dënimin e saj, por vonoi të kryente verifikimin. Irena Gjoka ka qenë në konflikt të plotë interesi në këtë çështje”, përfundoi Malltezi./ Top channel


