Nëna e 15-vjeçarit, i cili është identifikuar si shoferi i makinës që u aksidentua në Greqi ku ndërroi jetë dhe 16-vjeçar shqiptar, Eljon Metaj, mohoi që djali i saj të ketë qenë duke drejtuar automjetin në momentin e aksidentit. Ndërsa nga ana tjetër, shoku i klasës së 15-vjeçarit ka hedhur poshtë versionin e saj, duke zbuluar se ky nuk ishte rasti i parë që shoku i tij i klasës e kishte marrë makinën e mamasë pa lejen e saj.
Në aksidentin fatal në Loutsa, që i mori jetë 16-vjeçarit shqiptar dhe u plagosën dy bashkëmoshatarët e tij, shumë pyetje mbeten ende pa përgjigje. Sipas shokut të klasës, 15-vjeçari kishte mësuar të ngiste makinën nga babai i tij dhe, sipas tij, nuk ishte hera e parë që kishte marrë makinën.
“E kishin bërë edhe më parë. Mamaja e tij nuk e dinte sepse ajo ishte në punë. Makinën ia kishte mësuar i ati”, tregon shoku i kasës së 15-vjeçarit.
Nëna e 15-vjeçari që po drejtonte makinën, nga ana tjetër, deklaroi se djali i saj nuk dinte të ngiste makinën dhe se shoku i tij i kishte thënë të merrte çelësat e makinës.
“Tani është në shok. ‘Mami, shoku im, çfarë bëra?’”, tregon ajo.
Prindërit e 15-vjeçarit shprehën shqetësimin dhe tronditjen e tyre për ngjarjen, duke theksuar se djali i tyre ishte i shokuar dhe po përpiqej të kuptonte se çfarë kishte ndodhur. Aksidenti ndodhi të premten, më 13 shkurt, në Loutsa, në kryqëzimin e rrugëve Dimokratias dhe Sotiros. Sipas hetimeve, njëri nga të miturit kishte marrë fshehurazi çelësat rezervë të makinës së nënës së tij dhe, duke drejtuar me shpejtësi të madhe, humbi kontrollin e automjetit dhe përplasi makinën me një pemë.


