ISHP
Itinerari, këtë muaj do të vijojë puna në Kukës, Bilisht, Pogradec, Bajram Curr, Librazhd
Vazhdon puna e mamografëve lëvizës për ekzaminimin falas të grave mbi moshën 40 vjeç. Në programin e punës së tyre parashikohet që nga data 1 deri më 10 prill, njëra prej mamografive të qëndrojë në qytetin e Kukësit. Ndërkohë, mamografia tjetër e lëvizshme deri më 3 prill do të jetë në qytetin e Bilishtit për t’u zhvendosur më tej në atë të Pogradecit, ku do të qëndrojë nga data 6 deri më 17 prill. Ndërsa, në datat 13-24 prill, shërbimi do ë ofrohet në qytetin e Bajram Currit. Më tej, në datë 20 prill, në Librazhd, dhe më 27 prill në Has. Instituti i Shëndetit Publik bën me dije se nga data 15 janar, kur ka nisur shërbimi, e deri më tani janë kryer 1000 mamografi falas, për gratë mbi 40 vjeç. “Orari i shërbimit është 8:00-14:00, nga e hëna deri të premte. Në raste të veçanta, për arsye logjistike transporti, të hënën shërbimi mund të ofrohet pasdite. Të gjitha gratë e interesuara të grupmoshave 40-60 vjeç duhet të kontaktojnë Drejtorinë e Shëndetit Publik të rrethit përkatës dhe të regjistrojnë emrin në listë. Ato do të kontaktohen nga personeli shëndetësor për ditën dhe orën e ekzaminimit sipas radhës. Mesatarisht çdo ditë njësitë e mamografive kryejnë rreth 15 ekzaminime”, bën me dije ISHP. Ndërsa theksohet se mamografia nuk vendos diagnozën. Veç kësaj, ekzaminimet shtesë, përfshi ekografinë apo edhe biopsinë, do të jenë të nevojshme për një pjesë të grave. “Vetëm më pak se 1% e grave të ekzaminuara mund të ketë tumor malinj. Inkurajohen të gjitha gratë që të kryejnë çdo vit ekzaminimin klinik të gjirit nga një mjek pranë një qendre shëndetësore”, thekson Instituti i Shëndetit Publik. Rritja e numrit të femrave të prekura nga kanceri i gjirit ka rritur nevojën e ekzaminimeve. Mirëpo, duket se ende mungon ndërgjegjësimi i popullatës dhe për këtë arsye, pjesa më e madhe e sëmundjeve kapen në stadin e avancuar. Në këtë fazë, trajtimi është mjaft i vështirë dhe për këtë arsye, çdo vit po rritet numri i femrave që humbin jetën. Depistimi i popullatës për kancerin e gjirit ka sjellë edhe mjaft probleme të tjera. Eksperti i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli, ka sqaruar më herët se kjo ka rritur nevojën për mjekë specialistë dhe teknologji të sofistikuara. “Po rritet stresi për sistemin shëndetësor, pikërisht për shkak të numrit të madh të grave të dyshuara si të prekura. Po rritet nevoja për radiologë të kualifikuar e deri për kirurgë të specializuar që do të merren me operacionet. Jemi në një fazë kur gjërat po shkojnë mirë, por po rritet stresi për sistemin shëndetësor, i cili shumë shpejt duhet të adaptohet me ndryshimin e situatës. Janë bërë ndryshime, por ka nevojë për shumë më tepër, na mungojnë njerëzit e kualifikuar”, përfundon shefi i epidemiologjisë së ISHP-së, Alban Ylli. Një mamograf lëvizës ka dy punonjës, shoferin dhe teknikun, i cili merret me ofrimin e shërbimit. Ilda Hoxha
SHKRIME TË TJERA ME INTERES
[related_posts limit=”5″]