Partia Socialiste shënoi 35-vjetorin e themelimit në Qarkun e Tiranës, përmes një aktiviteti ku morën pjesë themelues, drejtues, anëtarë dhe mbështetës të kësaj force politike.
Në fjalën e saj, drejtuesja politike e PS-së për Tiranën, Ogerta Manastirliu, vlerësoi kontributin e themeluesve dhe të gjithë socialistëve që, sipas saj, kanë mbajtur gjallë vlerat e partisë përgjatë tre dekadave e gjysmë.
Manastirliu theksoi se historia e Partisë Socialiste është jo vetëm një histori politike, por edhe njerëzore, e shoqëruar me sfida dhe arritje, duke nënvizuar se socialistët kanë qenë gjithmonë në anën e duhur të historisë.
Ajo shprehu mirënjohje për themeluesit e partisë, duke theksuar se kanë ruajtur dhe promovuar vlerat e Shqipërisë europiane gjatë 35 viteve të ekzistencës së PS-së.
Një vlerësim të veçantë Manastirliu i kushtoi organizatës së PS-së në Tiranë, të cilën e cilësoi si forcën kryesore që ka udhëhequr fitoret e partisë ndër vite.
“Tirana është motori i rrugëtimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian”, deklaroi ajo, duke nënvizuar rolin e kryeqytetit në projektin politik të socialistëve për integrimin europian të vendit.
