Protesta e gjashtë radhazi kundër qeverisë dhe projektit në Zvërnec është shoqëruar me deklarata të forta nga qytetarët e mbledhur përpara Kryeministrisë.
Gjatë tubimit, një prej protestueseve deklaroi se pjesëmarrësit nuk do të largohen nga sheshi derisa qeveria të japë dorëheqjen, duke pretenduar se ajo ka humbur legjitimitetin për të qeverisur.
“Ne nuk do të largohemi nga sheshi pa rënë kjo qeveri. Kjo qeveri e ka humbur legjitimitetin e vet, e ka humbur të drejtën të na flasë për mandate”, u shpreh ajo mes brohoritjeve të protestuesve.
Në vijim të tubimit nuk munguan as thirrjet për mobilizim më të gjerë qytetar. Një tjetër protestues u bëri apel shqiptarëve t’i bashkohen protestës dhe të reagojnë ndaj situatës në vend.
“Çohuni shqiptarë, çohuni në shesh, ta ndryshojmë Shqipërinë për njerëzit që kanë ikur emigrantë dhe janë detyruar ta lënë vendin”, deklaroi ai.
Mes pankartave dhe sloganeve kundër qeverisë, protestuesit përsëritën se do të vijojnë kundërshtimin e tyre deri në realizimin e kërkesave që lidhen me largimin e qeverisë dhe anulimin e projektit në Zvërnec.
