Një manekin i vendosur për të përfaqësuar figurën e Çerçiz Topullit në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet.

Figura, e realizuar me veshje tradicionale, armë dhe dylbi, është kritikuar nga qytetarë dhe persona publikë, të cilët pretendojnë se paraqitja nuk i ngjan heroit historik dhe nuk përcjell siç duhet figurën e tij.

Mes reagimeve ka qenë edhe ai i gazetarit dhe profesorit Mentor Kikia. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kikia ka kërkuar heqjen e manekinit, duke e cilësuar atë si një paraqitje që, sipas tij, është kthyer në objekt talljeje.

“Hiqeni këtë dordolec”, shkruan Kikia, ndërsa argumenton se elementët e përdorur, si pushka, dylbitë dhe veshja, nuk mjaftojnë për të rikrijuar në mënyrë bindëse pamjen e Çerçiz Topullit.

Ai sugjeron që, nëse synimi i ekspozitës është prezantimi i veshjeve dhe armëve të heroit, mund të ishte përdorur një manekin pa fytyrë, në vend të një figure që tenton të rikrijojë edhe tiparet e tij.

Reagimet kanë rikthyer në vëmendje edhe rolin e institucioneve kulturore në mënyrën se si paraqiten figurat historike në hapësirat muzeale, ndërsa kritikët kërkojnë ndërhyrjen e Ministrisë së Kulturës dhe largimin e manekinit nga muzeu.

REAGIMI I KIKISE
Hiqeni këtë dordolec!
Në Muzeun e Kalasë së Gjirokastrës janë ekspozuar veshjet dhe armët e Heroit të Popullit, Çerçiz Topulli.
Por manekini, të cilit i kanë veshur rrobat që mbante heroi, ka tërhequr vëmendjen për shkak se kuratorët janë përpjekur t’i japin pamjen e një shtatoreje bashkë me imazhin që i ngjan disi heroit. Në fakt, nuk kanë krijuar as një shtatore dhe as thjesht një manekin, por një “personazh” qesharak, që mban veshjen, dylbitë dhe pushkën e heroit.
Në vend të këtij dordoleci, mund të ishin mjaftuar edhe thjesht me një trup, pa kokë, pasi qëllimi ka qenë ekspozimi i veshjeve dhe armëve, dhe jo ndërtimi i një shtatoreje të heroit.