Drejtuesja politike e PD në diasporë, Jozefina Topalli, ka denoncuar sërish problematikat me votat e diasporës në Greqi. Ajo i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që zarfat e Greqisë të mos bashkohen me ato të shteteve të tjera të diasporës, pasi sipas saj po kryhet manipulim masiv me votat.

Topalli deklaroi se gjatë kësaj periudhe ka pasur ankesa të shumta nga qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi, të cilët nuk kanë mundur të marrin zarfin për të votuar. Ajo tha se në disa raste, kutitë e votimit nga Greqia mbërrijnë plot, ndërkohë që qytetarët nuk kanë pasur mundësi të marrin zarfe. Topalli akuzoi pushtetin në Tiranë për manipulim të procesit zgjedhor dhe kërkoi nga KQZ që të trajtojë këto raste në mënyrë të veçantë.

Ajo kërkoi që KQZ të sigurojë integritetin e procesit zgjedhor dhe të marre masa për të parandaluar çdo lloj manipulimi, duke garantuar një proces të pastër dhe të drejtë për qytetarët shqiptarë, si dhe për të ruajtur besimin e diasporës në sistemin zgjedhor të Shqipërisë.

Topalli: Vazhdojmë të kemi skema të krimit zgjedhor. Është kthyer jo në shqetësim, por në një alarm të fuqishëm për integritetin e votës në Greqi. Gjatë kësaj periudhe kemi shprehur shqetësimin tonë të qytetarëve që jetojnë në Greqi, që ata e kanë të pamundur të marrin zarfet. Ata nuk i gjejnë zarfet as në lokalet e kontraktuar nga DHL. Ndërkohë që nuk kanë mundësi të votojnë, këtu në Tiranë vijnë kuti të pafundme me fletë të plotësuara. Nga Greqia vijnë kuti të mbushura, ndërkohë që qytetarët nuk marrin dot zarfet. Ndërkohë nga vendet e tjera numri i kutive është i papërfillshëm. Ajo që kemi dyshuar është që shpërbimin postar aty të nën kontraktorëve po e bën pushteti i Tiranës. Kjo e kthen në një problem të madh manipulimin masiv që po bëhet në Greqi.

I kërkojmë KQZ, që thotë se për thyerjen e standardeve do sanksionohen nënkontratkorët. Ne si forcë politike nuk jemi për sanksione, por për ruajtjen e integritetit. I bëjmë thirrje KQZ që kutitë që vijnë nga Greqia të trajtohen në mënyrë të veçantë  dhe mos bashkohen me vendet e tjera meqë ne kemi dyshime për skemën e manipulimit të votës. Përsëris thirrjen ndaj OSBE ODIHR  që të ketë vëmendje të veçantë me atë që po ndodh me manipulimin e votës në Greqi. SPAK i përsëris që të hetojë këtë skemë.