Xhakja u dënua me 21 vite nga Krimet e Rënda, Gjykata e Lartë e ktheu për rigjykim. Durrësi e liroi


Një vendim i tre viteve më parë i Gjykatës së Lartë do ta ndryshonte të gjithë rrjedhën e gjykimit për Ilir Xhaken, një nga personat më të rrezikshëm kriminalë në vendin tonë. Kolegji Penal vendosi në muajin tetor të vitit 2009 se Xhakja nuk duhet të hetohej e gjykohej nga Krimet e Rënda, por çështja e tij duhet të shkonte te gjykatat e rretheve, dhe kështu ndodhi. Çështja e tij shkoi në Gjykatën e Durrësit, ku edhe mori pafajësinë një vit më parë. Megjithatë, anëtari i klanit që mban mbiemrin e tij, “Xhakja”, ka kryer manovra me sistemin e drejtësisë, pasi çështja e tij pothuajse ka kaluar në të gjitha shkallët e gjyqësorit. Gazeta “Shqip” ka siguruar disa vendime të gjykatave që ndihmuan këtë person për t’u liruar nga burgu, megjithëse ishte dënuar për një krim të rëndë, atë të vrasjes së një personi në vitin 2003. Dhe, për koencidencë, merr pjesë në një tjetër ngjarje të rëndë, atë të vrasjes së kryekomisar Adem Tahirajt, duke mos harruar “zanatin e vjetër”.


 


Problemet me drejtësinë


Historia e “problemeve” me drejtësinë e Ilir Xhakes daton që pas viteve ’94, megjithëse prangat i ka provuar në vitin 1999, ku edhe u arrestua nga forcat e policisë, pas një urdhër arresti italian. Nuk kaloi shumë kohë dhe pjesëtarët e klanit “Xhakja” u liruan. Filluan të kryejnë vrasje, plagosje, trafiqe të ndryshme dhe asnjë prej episodeve nuk u hetua dhe gjykua. Kaluan disa vite dhe Ilir Xhakja nuk e humb zakonin. Në vitin 1998 kryen disa vrasje dhe njëra prej tyre hetohet vite më vonë nga drejtësia. Fillimisht çështja u hetua në Prokurorinë e Durrësit. Me krijimin e Krimeve të Rënda në vitin 2004, çështja kaloi te kjo strukturë, e cila pas hetimeve, ngriti akuzat e vrasjes dhe krijimit të organizatës kriminale ndaj këtij personi. Megjithëse nuk ishte i arrestuar, procesi ndaj Ilir Xhakes vijoi me prova shkencore dhe dëshmitarë, madje faktet provuan se ai kishte kryer vrasjen e shtetasit Qerim Maloku. Çështja u hetua nga prokurori Përparim Kulluri, ndërsa në Gjykatën e Krimeve të Rënda u gjykua nga një kolegj penal. Pas më shumë se dy vitesh gjykim, rreth muajit mars 2006, gjykata e dënon me 21 vite burg për vrasje dhe armëmbajtje pa leje në kuadër të organizatës kriminale. Çështja shkon në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, e cila vetëm sa “vulos” vendimin e Shkallës së Parë. Megjithatë, deri në këtë fazë, çdo gjë funksionoi për drejtësinë. Manovrat e këtij personi filluan, si shumë persona të tjerë, në Gjykatën e Lartë.


 


Mbrojtja e Xhakes


Mbrojtja e Ilir Xhakes shfrytëzoi momentin rreth viteve 2007 dhe 2008, në një kohë që Gjykata e Lartë ka rikthyer për rigjykim dhjetëra vendime gjyqësore të Gjykatës së Krimeve të Rënda, lidhur me një ndryshim ligjor për këtë strukturë. Shumë vrasës, krerë të bandave kriminale, përfituan nga një ligj apo vendim që u bë posaçërisht për ta. Në vitin 2004 u miratua një ligj me numrin 9276 që ndryshoi kompetencën lëndore të Gjykatave të Krimeve të Rënda. Të dënuarit apo të pandehurit filluan ta interpretojnë pas viteve 2007. Një çështje e ngjashme me Ilir Xhaken shkoi në Gjykatën Kushtetuese. Kjo e fundit vendosi në favor të kërkuesit, duke rrëzuar të gjitha gjykatat, përfshirë edhe Gjykatën e Lartë. Ky vendim u përdor si “precedent” nga shumë të pandehur, të cilën arritën që çështjet e tyre t’i transferonin nga Krimet e Rënda drejt gjykatave të rretheve, ku mund të fitonin më pas pafajësinë. Mësohet se edhe mbrojtja e Ilir Xhakes ka përdorur këtë precedent dhe “fitoi” rikthimin për gjykim.


 


Vendimi i Gjykatës së Lartë


Megjithatë, vendimi më i diskutuar për Ilir Xhaken mbetet ai i Gjykatës së Lartë, e cila arriti të prishë të gjithë procesin e Krimeve të Rënda. Kolegji Penal, me anëtarë Ardian Dvoranin, Evjeni Sinoimerin, Irma Balën, Arjana Fullanin, Aleksandër Muskajn, morën në shqyrtim këtë çështje në datën 14 tetor 2009. Këta gjyqtarë arsyetojnë se në ligjin 9276, datë 16.09.2004, që ndryshoi kompetencën lëndore të Gjykatave të Krimeve të Rënda, nuk parashikohen dispozita transitore për çështjet që ishin regjistruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, apo ishin duke u gjykuar nga Gjykatat e Krimeve të Rënda përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, arrihet në përfundimin se këto gjykata nuk kanë qenë kompetente nga pikëpamja lëndore për të shqyrtuar çështjen objekt gjykimi. “Ky kolegj çmon se nisur nga qëndrimet e Gjykatës Kushtetuese në një sërë vendimesh, ndryshe nga e drejta penale materiale, ku zbatohet parimi se ligji i ri nuk ka fuqi prapavepruese, me përjashtim të rasteve kur ai është në favor të të pandehurit, në të drejtën procedurale penale vepron parimi sipas të cilit, ligji i ri ka fuqi edhe ndaj marrëdhënieve procedurale të lindura para hyrjes së tij në fuqi, për çështje që gjenden në hetim apo gjykim, me përjashtim të rasteve kur vetë ligji ka vendosur shprehimisht ndryshe”, thuhet në vendim, i cili rikthen për rigjykim këtë çështje.


 


Vendimi i pazbardhur


Çështja në fjalë, pas tetorit të vitit 2009, kaloi në Shkallën e Parë në Durrës. Pas disa seancave gjyqësore, kjo gjykatë, në vitin 2011, dha pafajësinë për Xhaken, madje edhe për akuzën e armëmbajtjes pa leje, krahas asaj të vrasjes me dashje. Kryesuesi i trupës gjykuese, Neritan Tabaku, ende nuk e ka zbardhur vendimin.


 


Konkluzionet e prokurorisë


Ndryshe nga mendimi i gjyqtarit Tabaku për ta shpallur të pafajshëm për të gjitha akuzat 38-vjeçarin, prokurori i çështjes, Vladimir Mara, ka kërkuar që ky person të dënohet me 25 vite burg. “Nga analiza e provave dhe fakteve rezulton e provuar se i pandehuri Ilir Xhakja, në bashkëpunim me dy persona të tjerë të paidentifikuar, ka vrarë shtetasin Qerim Maloku”, pohonte prokuroria, ndërsa shtonte se në masën e dënimit duhet marrë në konsideratë edhe rrezikshmëria e theksuar kriminale e këtij personi. “Të deklarohet fajtor i pandehuri Ilir Xhakja për kryerjen e veprës penale të ‘vrasjes me paramendim’ të kryer në bashkëpunim, e bazuar në këtë dispozitë dënimin e tij me 24 vjet burgim”, kërkonte prokurori Mara.


 


Ankimi i lirimit


Kur kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga vendimi i gjyqtarit Tabaku për dënimin e Xhakes për armëmbajtje pa leje, ende nuk ka filluar procesi në Gjykatën e Apelit në Durrës, pasi nuk është zbardhur vendimi. Megjithatë, prokuroria ka bërë ankim dhe në të thuhet se “nga ana e Gjykatës së Durrësit, me vendimin e saj në datën 9 shkurt 2011, ka vendosur: Të deklarojë të pafajshëm të pandehurin Ilir Xhakja për veprën penale të ‘vrasjes me paramendim’. Pushimin e çështjes penale për sa i përket akuzës së mbajtjes pa leje të armëve luftarake e municioneve. Ky vendim është i pabazuar në ligj dhe në prova, prandaj brenda afatit ligjor bëj ankim, duke parashtruar disa shkaqe”, thuhet në vendimin e prokurorisë. s. çobo


 


 


Krimet e Rënda


 


21 vite burg


U dënua në vitin 2006 Ilir Xhakja


 


Anëtari i klanit “Xhakja” u akuzua për vrasjen e Qerim Malokut, ngjarje e ndodhur në vitin 1998. Pas dy viteve në gjykim në mungesë, u dënua në vitin 2006


 


Gjykata e Lartë


 


Rigjykim


Kolegji e riktheu çështjen në Durrës


 


Arsyeja e vendimit ishte se dy shkallët e gjyqësorit, Gjykata e Krimeve të Rënda dhe Apeli i saj, kishin shkelur liritë dhe të drejtat themelore të njeriut


 


 


Gjykata e Durrësit


Pafajësi


U pushua akuza e vrasjes me dashje


 


Gjyqtari Neritan Tabaku vendosi të shpallë të pafajshëm Ilir Xhaken. Megjithëse kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë, ende nuk është zbardhur vendimi


 


Ankimi


Vendimin e Gjykatës së Durrësit e ka apeluar prokuroria, e cila kërkon që Ilir Xhakja të dënohet me 25 vite burg