Mijëra studentë shqiptarë vërshuan në rrugët e Shkupit për të protestuar për një të drejtë themelore që ua garanton Kushtetuta: provime në gjuhën shqipe…

Një e drejtë e fituar me gjak pas luftës së vitit 2001. 25 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, mbi të cilën u bazuan edhe ndryshimet kushtetuese të vitit 2001, ende gjuhës shqipe i vendosen kufij nga politikat diskriminuese maqedonase.

“Në aspektin juridik, tani flas pak si profesor i së drejtës kushtetuese, disa të drejta janë edhe natyrore, fitohen që në lindje”, u shpreh Jusuf Zejneli, Rektor i ‘Universitetit të Tetovës’.

“Ekziston një lloj fobie ndaj gjuhës shqipe nga komuniteti maqedonas dhe nuk po dalim nga kornizat e ndërtuara prej vitesh dhe ndarjet e diskriminimin që u është bërë shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”, u shpreh Albana Metaj Stojonavo, Prof. As. e Drejta Civile.

Që nga viti 2001, gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut ka qenë pjesë e një beteje të pandërprerë politike dhe juridike. Edhe pse e sanksionuar në Kushtetutë, ajo mbetet një element i padefinuar qartë, duke u shndërruar shpesh në një mjet për përfitime elektorale nga spektri maqedonas para se të jetë një e drejtë e zbatuar plotësisht. Problemi fillon që te baza ligjore.

“Edhe sot, derisa flasim… unë nuk di të jap një përgjigje të saktë sa është gjuha shqipe zyrtare, ku nuk është zyrtare. Në labirintin politik të Maqedonisë së Veriut, partitë politike e kanë përdorur gjuhën shqipe si një lloj arme për të ruajtur apo për të humbur pushtetin”, u shpreh Arsim Sinani, profesor i Antropologjisë.

Kjo paqartësi buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta, e cila shihet si pengesa kryesore për një rregullim të përgjithshëm shtetëror. Pra, një përcaktim i lënë qëllimisht evaziv, që shfrytëzohet nga nacionalistët anti-shqiptarë.

“Nuk ka një rregullim të përgjithshëm të gjuhës shqipe në nivel shtetëror… kjo buron nga Kushtetuta, e cila e parandalon përdorimin e lirshëm të gjuhës shqipe, njëjtë siç përdoret edhe gjuha maqedonase”, u shpreh Arsim Sinani, profesor i Antropologjisë.