Ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka ngritur akuza për shkelje të ligjit pas mungesës së gjuhës shqipe në tabelën zyrtare të mirëseardhjes në një pikë kufitare të vendit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Osmani publikoi një fotografi të tabelës ku mesazhi i mirëseardhjes ishte shkruar në gjuhën maqedonase, angleze dhe franceze, ndërsa gjuha shqipe nuk ishte përfshirë.
Sipas Osmanit, heqja e shqipes nga sinjalistika zyrtare është në kundërshtim me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, i cili garanton përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.
“Gjuha shqipe është hequr nga tabela zyrtare e mirëseardhjes në kufirin e Maqedonisë së Veriut. Regjistrimi i fundit tregoi se shqiptarët përbëjnë 29.5% të popullsisë. Kushtetuta dhe ligji garantojnë përdorimin e gjuhës shqipe”, shkroi Osmani.
Ai e cilësoi këtë veprim si “paligjshmëri institucionale, diskriminim dhe provokim të qëllimshëm”, duke kërkuar respektimin e të drejtave gjuhësore të komunitetit shqiptar në vend.
Deklarata e Osmanit ka rikthyer debatet mbi përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut, ku shqiptarët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë.
