Gjykata Europiane e dënon me 60 mijë euro dëmshpërblim, u rrëmbye nga CIA më 2003-shin
El-Masri pati tentuar më herët të ngrinte gjyq në SHBA, por aplikimi i tij u refuzua në bazë të “sekreteve shtetërore”. Kërkesa e tij në Maqedoni për të hapur hetime penale, nuk është ndjekur.
Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut vendosi dje se Maqedonia ishte përgjegjëse për torturimin dhe keqtrajtimin e Khaled El-Masri, një viktimë e luftës kundër terrorizmit nga CIA, si dhe urdhëroi Shkupin të paguajë 60 mijë euro dëmshpërblim, bën të ditur “Balkan Insight”.
Gjykata tha se faktet rreth ngjarjes së El-Masrit janë përtej dyshimeve të arsyeshme dhe e bëjnë Maqedoninë përgjegjëse për torturimin dhe keqtrajtimin e tij në këtë vend, pasi ai ishte transferuar nga autoritetet amerikane në kuadër të një arrestimi jashtëgjyqësor.
Gjykata specifikoi se të dhënat për El-Masrin qenë “të detajuara, specifike e konsistente” dhe mbështeteshin nga “një sasi e madhe provash indirekte”.
Khaled El-Masri, një nënshtetas gjerman, pretendon se është kapur në Maqedoni si pjesë e një programi arrestimesh të agjencisë së shërbimit sekret amerikan CIA.
Ndërkohë, “Amnesty International”, grupimi i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, thotë se vendimi i djeshëm është një moment historik, për shkak se është hera e parë që një shtet europian konsiderohet përgjegjës në përfshirjen e vet në programe sekrete amerikane, si dhe një hap i rëndësishëm në luftën kundër pandëshkueshmërisë.
“Ky vendim konfirmon rolin që Maqedonia luajti në arrestimet dhe burgosjet sekrete të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), dhe është një hap i rëndësishëm në bashkëfajësinë e europianëve për arrestimin dhe torturimin”, tha Julia Hall, eksperte e “Amnesty International” në kundërterrorizmin dhe të drejtat e njeriut.
“Maqedonia nuk është e vetme. Shumë qeveri të tjera europiane bashkëpunuan me SHBA në rrëmbimin, transferimin, ‘zhdukjen’ dhe torturimin e njerëzve gjatë operacioneve. Ky vendim është një progres, por shumë më tepër ka nevojë të bëhet për të siguruar përgjegjësinë në të gjithë Europën”.
El-Masri thotë se ai u arrestua gabimisht në vitin 2003, u mbajt në izolim, u mor në pyetje mbi aludimet për lidhje me organizata terroriste dhe në përgjithësi u keqtrajtua në një hotel në Shkup për 23 ditë. Ai thotë se më pas iu dorëzua agjentëve të CIA-s, të cilët e dërguan në një bazë sekrete në Afganistan, ku mbeti deri në maj 2004. Gjatë kësaj kohe, thotë se u rrah, u godit me shkelma dhe u kërcënua ndërsa merrej në pyetje në një qeli të vogël betoni.
Qeveria e Maqedonisë i ka mohuar akuzat e El-Masrit, duke thënë se ai vetëm sa ishte marrë në pyetje shkurtimisht nga policia, ndërsa po hynte në këtë vend, nën dyshimin se po përdorte dokumente të falsifikuara dhe se ai u largua shpejt për në Kosovë.
“Ngjarjet e përshkruara nga qeveria janë të pabazuara”, konkludoi gjykata, duke shtuar se Maqedonia nuk e hetoi siç duhej ngjarjen. Ky rast është diskutuar në kuadër të një numri të madh hetimesh ndërkombëtare mbi aludimet për “arrestime jashtëligjore” në Europë të kryera me përfshirjen e qeverive europiane.
El-Masri e dorëzoi aplikimin e tij kundër Maqedonisë në Strasburg në vitin 2009. Gjykata hapi procedurat në maj të këtij viti. Në vitin 2007, Parlamenti i Europës ka hapur një hetim mbi akuzat për transferime ilegale, zhdukjet dhe torturat e të arrestuarve në Europë. Një raport është aktualisht duke u përgatitur.