Qyteti i Pogradecit do të presë më 25 korrik një aktivitet të rëndësishëm sportiv, Maratonën Kombëtare dhe Ndërkombëtare, ku pritet të marrin pjesë garues nga vendi dhe jashtë tij. Për mbarëvajtjen dhe sigurinë e këtij aktiviteti, Policia e Korçës ka njoftuar marrjen e masave të posaçme për menaxhimin e trafikut.
Maratona do të zhvillohet në orën 18:30 dhe organizohet nga shoqata “Maraton Albania”, në bashkëpunim me Bashkinë Pogradec. Gara do të përfshijë dy disiplina: Half Maratonën 21 kilometra dhe Mini Maratonën 11.5 kilometra.
Për garën e gjatë, nisja do të bëhet nga fshati Lin, përgjatë aksit rrugor buzë liqenit, me përfundim në qendër të Pogradecit. Ndërsa Mini Maratona do të nisë nga qendra e qytetit, do të vijojë në aksin “Pogradec-Buçimas-Tushemisht” dhe do të rikthehet sërish në pikën e nisjes.
Për shkak të zhvillimit të aktivitetit, më datë 25 korrik, nga ora 18:30 deri në 22:00, do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në disa akse rrugore.
Sipas njoftimit të Policisë, aksi Lin-Pogradec do të bllokohet plotësisht, ndërsa në aksin Tushemisht-Pogradec do të bllokohen të dyja korsitë. Gjithashtu, do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit edhe në disa segmente brenda qytetit të Pogradecit deri në përfundimin e garës.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve që të tregojnë mirëkuptim dhe të përdorin gjatë këtij intervali rrugën alternative Qafë Plloçë-Qukës, me qëllim shmangien e pengesave dhe garantimin e zhvillimit të sigurt të aktivitetit sportiv.
