Kryeministri teknik thotë se është i gatshëm të shërbejë, por nuk tregon për kë


Kryeministri i Italisë, Mario Monti, i cili dha dorëheqjen javën e kaluar, tha dje në një konferencë të shumëpritur për shtyp, se është i gatshëm të shërbejë si kreu i një qeverie të ardhshme, por për momentin nuk do të mbështesë asnjë parti politike. Monti, një teknokrat jashtë politikës, njihet si një Kryeministër i aftë që qetësoi tregjet dhe rivendosi besimin e investitorëve tek aftësitë e Italisë për t’u reformuar në kushtet e krizës. Shumë spekulime kanë qarkulluar gjatë kohëve të fundit, për idenë se Monti mund të krijojë një parti të re për të garuar në zgjedhje ose mund të bashkohet me një parti të qendrës së majtë. Por dje Monti tha se ishte i gatshëm të udhëhiqte çdo koalicion të angazhuar për zbatimin e axhendës së tij të reformave.


Ai shtoi gjithashtu se nuk mund të pranonte një ofertë nga Silvio Berluskoni për të udhëhequr një qeveri të qendrës. Zgjedhjet do të mbahen në shkurt të vitit të ardhshëm. Monti dha dorëheqjen pasi partia e Berluskonit tërhoqi mbështetjen e tij. Ai ishte emëruar si një Kryeministër teknokrat më 2011-n, pasi koalicioni i Berluskonit u shpërbë për shkak të krizës financiare dhe ekonomike.


Dje Monti iu lut partive politike të Italisë të mos shkatërrojnë atë që qeveria e tij ka bërë për të shpëtuar Italinë nga kriza. “Emergjenca financiare është kapërcyer. Italianët mund ta mbajnë kokën lart si qytetarë të Europës”, tha ai.


I pyetur në mënyrë të përsëritur nëse do të garojë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, Monti tha: “Për forcat që tregojnë pajtim bindës dhe të besueshëm tek axhenda Monti, unë jam i gatshëm të ofroj këshillën time, mbështetjen dhe nëse është e nevojshme, udhëheqësinë. Unë jam gjithashtu i gatshëm të marr, ndonjë ditë, nëse kërkohet nga rrethanat, përgjegjësitë që mund të më besohen nga Parlamenti”.


Analistët thonë se Monti po luan me letra të fshehura në politikën aktuale dhe po i mban opsionet e tij të hapura.


Ndërkohë, Berluskoni dhe udhëheqësi i partisë kryesore të së majtës,


Pier Luigi Bersani, i kanë këshilluar atij të mos kandidojë. Partia Demokratike e Bersanit rezulton nga sondazhet pretendente kryesore për fitimin e zgjedhjeve. Monti tha dje se nuk është i motivuar nga ambiciet personale, por është më i shqetësuar për reformat që ka nisur. “Nëse pranoj (të udhëheq) atëherë duhet të përpiqem të ndryshoj moralin dhe kulturën e vendit. Dukshëm kjo nuk është diçka e rehatshme personalisht”, tha ai. Kandidimi i Montit në politikë mbështetet nga disa parti të qendrës, përfshirë ish-aleatë të Berluskonit pranë partisë UDC, e cila është pranë kishës katolike. Monti tha se shpresonte që qeveria e ardhshme të kishte një shumicë të bollshme parlamentare, ndërsa beson se ndarja tradicionale majtas dhe djathtas nuk është më e përshtatshme për të zgjidhur problemet me të cilat përballet Italia. Ai shtoi se partitë politike nuk duhet të ndërmarrin premtime elektorale bujare, të cilat mund të pengojnë zbatimin e axhendës së reformave.


Por ndërsa shumë udhëheqës europianë, si edhe elita italiane e biznesit kanë bërë thirrje për vijimin e axhendës së tij të reformave, italianët e zakonshëm po rëndohen gjithnjë e më shumë nga rritja e taksave dhe ulja e shpenzimeve të imponuara për të zvogëluar borxhin e stërmadh publik të vendit.


Monti qëndroi 13 muaj si Kryeministër, kohë gjatë së cilës arriti të riparojë besueshmërinë ndërkombëtare të Italisë dhe hapi reforma në fushën e pensioneve, tregut të punës dhe në disa pjesë të sektorit të shërbimeve.