Gjykata e Apelit ka rrëzuar kërkesën e autorit të vrasjes së 14-vjeçarit, Martin Cani pranë shkollës së tij, duke e lënë Mario Perlleshaj në masën e sigurisë arrest me burg.

Kujtojmë se 14-vjeçari edhe në muajin dhjetor të vitit 2024 kundërshtoi masën e dhënë “arrest në burg”.

Më 17 dhjetor, Gjykata e Apelit në Tiranë la në fuqi masën “arrest në burg” ndaj tij.

Martin Cani u vra më 18 nëntor pak metra larg shkollës “Fan Noli” në kryeqytet. Nga sherri mbeti i plagosur edhe shoku i tij, Luis Meçja.

Njoftimi

Referuar interesimit të medias, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Mbi kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me “Informacionin dy mujor për të miturin në konflikt me ligjin, ne lidhje me zbatimin e masës së sigurimit “arrest në burg” , ku përfaqësuesi ligjor i të miturit në konflikt me ligjin kërkoi “zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasje e kryer në rrethana cilësuese”, të parashikuar nga neni 79 shkronja “a” të Kodit Penal.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr…. akti, datë 23.01.2025, ka vendosur:

-Rrëzimin e kërkesës së të miturit në konflikt me ligjin “…”, me objekt zëvendësim  mase  sigurimi personal.