Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka folur për zhvillimet politike në Shqipëri dhe protestat studentore në një intervistë për CNN International, ku u intervistua nga gazetarja Christiane Amanpour dhe Catherine Bennhold e “The New York Times”.
Gjatë bisedës, Koçeku përcolli shqetësimet e të rinjve shqiptarë, duke argumentuar se kërkesat e tyre shkojnë përtej çështjeve të arsimit dhe lidhen drejtpërdrejt me mënyrën e qeverisjes, transparencën dhe funksionimin e institucioneve.
“Protestat që nisën nga studentët gjatë javës së fundit në Shqipëri kanë të bëjnë më shumë sesa thjesht me arsimin. Është një ndërthurje e qeverisjes së dobët, e një partie politike shumë të fuqishme dhe e institucioneve që nuk janë në gjendje të funksionojnë mbi parimet e transparencës”, u shpreh Koçeku.
Deputetja foli edhe për largimin e saj nga Partia Socialiste gjatë verës së këtij viti dhe vendimin për t’iu bashkuar protestave qytetare. Ajo e lidhi këtë qëndrim me bindjen se angazhimi i drejtpërdrejtë në mbështetje të protestuesve i jep mundësinë të kontribuojë në adresimin e shqetësimeve të tyre.
Koçeku theksoi se kërkesat e qytetarëve janë legjitime dhe se institucionet duhet të reagojnë me përgjegjshmëri, duke ofruar zgjidhje konkrete.
Një pjesë e intervistës iu kushtua edhe situatës në Serbi dhe lëvizjes studentore kundër presidentit Aleksandar Vuçiç. E pyetur për zhvillimet në vendin fqinj, deputetja shqiptare vlerësoi qëndresën e studentëve serbë dhe u shpreh se një fitore e listës së tyre në zgjedhje do të kishte rëndësi përtej kufijve të Serbisë.
“Sa u përket protestave në Beograd dhe studentëve, qëndresa dhe këmbëngulja e tyre janë gjithashtu shumë frymëzuese, sidomos duke pasur parasysh realitetin politik dhe shoqëror të atij vendi, nën regjimin e Vuçiç. Dhe të gjithë ne po presim me interes zgjedhjet dhe pjesëmarrjen e studentëve në to, sepse besoj se kjo do të ketë padyshim ndikim, veçanërisht në vendet fqinje të Ballkanit Perëndimor”, deklaroi Koçeku.
Intervista në median amerikane solli në vëmendje protestat në Shqipëri, kërkesat e brezit të ri për më shumë llogaridhënie dhe ndikimin që zhvillimet politike në rajon mund të kenë te njëra-tjetra.
