Deputeti i PD shpërthen në “Shqip”: Do të formalizoj platformën


“Nuk mund ta pranoj si fakt se 20 vjet pas rënies së diktaturës në formacionet politike të ketë kaq shumë mungesë debati. Mendoj se ka ardhur koha që të hapet debati në PD”


“KOP ka dështuar si ide, politikanët që kanë dalë nga ky formacion nuk paraqesin asnjë vlerë të shtuar për PD”


“Kam qenë për Jozefina Topallin presidente, një president politik, sepse karriera e saj politike ishte në ngjitje. Kjo, sepse karriera politike duhet të shkojë në mënyrë të natyrshme, ka më shumë logjikë të bëhet presidente një Kryetare Kuvendi sesa një ministër”


“Berisha dhe Meta duhet të mbajnë përgjegjësi për kandidimin e njerëzve me dosje për president. Zaganjori dhe Hoxha kanë qenë kollaj të shantazhuar, mendoni sesa problematike do të ishte njëri nga këta të ishte president”.


Fatjona Mejdini


Mark MarkuDeputeti i Partisë Demokratike, Mark Marku, në kulmin e temperaturave të larta afrikane përdori një gjuhë të acartë për të fshikulluar lidershipin e PD-së, kabinetin qeveritar, politikat e ndjekura në mandatin e dytë dhe aleatët e demokratëve në qeveri. Në intervistën e dhënë në emisionin “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga në “Top Channel”, Mark Marku theksoi se këto qëndrime të tij nuk do t’i linte vetëm në fjalë, por do t’i paraqiste zyrtarisht te kreu i mazhorancës, po kështu te strukturat e PD-së dhe sigurisht në opinionin publik. Deputeti Mark Marku deklaroi se ai nuk pretendonte që këto mendime të tij të përbënin një platformë, por theksoi se ishin një kontribut që ai donte të jepte si deputet dhe intelektual. “Do t’i formalizoj këto ide në formë të shkruar e të strukturuar dhe do ia paraqes Kryeministrit Berisha, strukturave të PD-së dhe opinionit publik”, premtoi Marku. Ai la të kuptohej qartë se kërkonte të zgjonte nga gjendja e përgjumur PD-në, duke i kujtuar se mazhoranca ka humbur kartën e luftës kundër korrupsionit dhe atë në sistemin e drejtësisë, duke rrezikuar seriozisht që të mos jenë më në pushtet. Sipas deputetit të Qarkut të Lezhës, rithemelimi i Partisë Demokratike është i domosdoshëm, duke theksuar faktin se, nëse kjo parti do të fitojë, duhet të ndryshojë tërësisht. “PD-ja patjetër që për të fituar duhet të ndryshojë tërësisht dhe thellësisht. Por dhe nëse fiton kështu, mbi bazën e llogarive të numrave, do të ketë një stanjacion politik, nuk do të ketë vlerë për vendin dhe as për PD-në vetë. Shqipëria fiton vetëm me një PD të transformuar”, theksoi Marku.


Berisha


Deputeti i PD-së deklaroi se Kryeministri Berisha ishte një lider fuqiplotë te demokratët, duke i quajtur figurat e tjera komplementare dhe pa ndonjë rol të madh brenda partisë. Në këtë kuadër, Marku theksoi se ai ishte ushqyesi kryesor i konformizmit brenda PD-së, por preferoi ta shikonte figurën e tij larg çështjeve korruptive në vend. “Mund të thuhet se Berisha është një nga njerëzit kryesorë që ushqen konformizmin në PD. Por mendoj se Berisha vetë nuk është tip i korruptuar, pushtetin e ka ambicien më të lartë se të tjerat”, deklaroi Marku.


Qeveria


Mark Marku deklaroi se qeveria shqiptare është në stanjacion, duke theksuar se ata nuk frymëzojnë më qytetarët dhe nuk u përgjigjen më nevojave të tyre. “Qeveria është në stanjacion, ka ministra pa entuziazëm dhe madje funksionojnë sikur nuk duan të jenë më aty. Një qeveri e tillë nuk jep më frymëzim. Kokëfortësia për të mos ndryshuar ministrat ka të bëjë me një mosperceptim në lidhje me çfarë mendojnë qytetarët për ne. Ne nuk kemi më instrumente për të matur perceptimin e tyre”, deklaroi deputeti i PD-së. Deputeti Marku theksoi se presidenti i zgjedhur Nishani nuk është në këto momente një president i pavarur.


PD


Sipas Markut, PD-ja po e humb gjithnjë e më shumë identitetin e saj si parti e djathtë, duke theksuar se kjo parti po shantazhohet sistematikisht nga një parti e majtë, siç është Lëvizja Socialiste për Integrim. Ai theksoi se ishte e pakuptueshme sesi PD-ja nuk kishte më emra të shtuar të të djathtëve në gjirin e saj, por mbante si deputetë të grupit parlamentar njerëz që si vlerën më të madhe kanë konformizmin. “PD-ja ka humbur përfaqësimin e shtresave tradicionale, nuk ka më figura përfaqësuese të kësaj shtrese. P.sh., katër a pesë mandate deputetësh në PD janë kot, janë aty se vetëm nuk flasin. Pse për shembull mes tyre të mos jetë një figurë e shquar e së djathtës si Uran Butka”, pyeti Marku, duke shtuar gjithashtu se në shtresat e gjera tek e djathtës, ka pakënaqësi nga PD-ja.


LSI


Mark Marku u tregua tepër kritik me LSI-në, duke e quajtur një forcë politike që po i rëndonte PD-së. Ai kritikoi ashpër qëndrimet e fundit të Ilir Metës dhe mënyrën sesi ajo ndryshoi ministrat e kabinetit të tij. “Meta fyeu sistemin politik, sepse nëse je në një qeveri nuk mund të ndryshosh katër ministra si të jesh një qeveri më vete. Po kështu emërimet e reja të bërë nga Meta për ministrat ishin pa asnjë logjikë politike”, theksoi ai. Po kështu Marku theksoi se “blloku” në dorën e Metës ishte një fakt viziv, por jo juridik. “Drejtësia e ka shpallur të pafajshëm, por jo qytetarët”, deklaroi ai.