Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me aludimet e ngritura së fundmi mbi marrëveshjen e lidhur me Italinë, për emigrantët, pas një deklarate të ministrit të Jashtëm, Ferit Hoxha.

Në një reagim “X”,Rama shprehet se deklarata e Hoxhës ishte keqinterpretuar duke shtuar se marrëveshja me Italinë mbetet në fuqi dhe nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e qeverisë shqiptare, deri në atë moment që pala italiane kërkon ta zgjasë marrëveshjen.

“Të gjithë gazetarëve nga Italia dhe më gjerë, të cilët po kontaktojnë lidhur me një citim të shtrembëruar të raportuar nga një media pas një interviste me Ministrin e Jashtëm të Shqipërisë: Më lejoni ta ritheksoj, qartë dhe shpresoj njëherë e përgjithmonë, se Protokolli ynë me Italinë është këtu për të qëndruar, për aq kohë sa Italia ta dëshirojë”, u shpreh Rama.

Ky reagim erdhi pasi ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, në një intervistë për “Euractiv” u shpreh se: “Së pari, është për pesë vjet dhe nuk jam i sigurt nëse do të ketë një zgjatje. Së dyti, nuk do të ketë zgjatje sepse do të jemi anëtar të Bashkimit Evropian.”

Megjithatë edhe minsitri ka reaguar, duke thënë se përgjigja e tij ka qenë thjesht për një reflektim i çastit, të shprehur me sinqeritet dhe spontanitet që është nxjerrë nga konteksti.

“Një gazetar në Bruksel më pyeti nëse protokolli ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë do të rinovohej pas përfundimit të periudhës fillestare pesëvjeçare. Unë iu përgjigja duke thënë: ‘Nuk jam i sigurt, duke supozuar se deri atëherë Shqipëria do të jetë një shtet anëtar i Bashkimit Evropian dhe situata, për rrjedhojë, do të jetë ndryshe.’

Ka qenë kaq e thjeshtë. Nuk bëhet fjalë për një vendim, por thjesht për një reflektim të çastit, të shprehur me sinqeritet dhe spontanitet. Kjo deklaratë nuk duhet në asnjë mënyrë të interpretohet si një ndryshim i qëndrimit të Shqipërisë në lidhje me protokollin. Fatkeqësisht, në botën e sotme, zhurma shpesh përhapet më shpejt sesa argumenti, logjika dhe konteksti. Shprehje të shkëputura nga konteksti shndërrohen shumë shpesh në narrativa që nuk pasqyrojnë as thelbin e diskutimit dhe as qëndrimin real të qeverive”,– shkruan Hoxha në rrjetet sociale.