Marrëveshja ushtarake mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, që parashikon një financim të jashtëm prej 302 milionë dollarësh për sektorin e mbrojtjes, është futur në Kuvend me procedurë të përshpejtuar, pas kërkesës së kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Sipas Ballës, bëhet fjalë për një marrëveshje me rëndësi strategjike, e cila do të shërbejë për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit, në përputhje me angazhimet që Shqipëria ka si vend anëtar i NATO-s.
Diskutimi në seancë u shoqërua me kundërshtime nga deputetët e opozitës. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike pretenduan se nuk janë informuar paraprakisht për përmbajtjen e marrëveshjes dhe se procedura e ndjekur për shqyrtimin e saj bie ndesh me parashikimet kushtetuese.
Gjatë fjalës së tij, Balla e cilësoi marrëveshjen si një moment historik për vendin.
“Është një marrëveshje me rëndësi të veçantë për sigurinë kombëtare dhe një tjetër dëshmi e partneritetit të ngushtë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Ajo shkon përtej aspektit financiar, pasi reflekton besimin që SHBA kanë ndaj vendit tonë dhe rolit gjithnjë e më të rëndësishëm që Shqipëria po merr në sigurinë euroatlantike”, deklaroi ai.
Balla theksoi gjithashtu se Shqipëria mbështet objektivin e ri të NATO-s për rritjen e shpenzimeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke shtuar se kjo mbetet një nga prioritetet strategjike të qeverisë.
Sipas tij, fondi prej 302 milionë dollarësh do të përdoret vetëm për blerjen e pajisjeve dhe shërbimeve ushtarake sipas standardeve të NATO-s. Financimi do të disbursohet në mënyrë graduale, bazuar në nevojat e Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa Shqipëria do të ketë 48 muaj kohë për aktivizimin e fondeve. Çdo përdorim i tyre, shtoi Balla, do të miratohet nga Agjencia Amerikane e Mbrojtjes, çka garanton transparencë dhe kontroll mbi zbatimin e marrëveshjes.
