Sot në Tiranë është firmosur marrëveshja e bashkëpunimit mes Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) dhe spitalit të njohur europian “San Raffaele”.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë zhvillim si një moment historik për shëndetësinë shqiptare, për QSUT-në dhe për vendin në tërësi. Gjatë fjalës së tij, Rama pranoi se rrugëtimi deri në këtë pikë nuk ka qenë i lehtë, ndërsa theksoi se ambicia e qeverisë është që QSUT të shndërrohet në një pikë referimi për shëndetësinë në Ballkan dhe më gjerë.
“Ky është një moment historik për shëndetësinë tonë dhe për Shqipërinë. Sot hapim një faqe të re në një rrugë të vështirë, që nisi nga kushte shumë të vështira për mjekët dhe personelin,” deklaroi Rama.
Ai shtoi se qëllimi është që QSUT të bëhet një qendër ekselence, duke u krahasuar me më të mirat në Europë. Kryeministri vlerësoi gjithashtu profesionalizmin e stafit mjekësor, bazuar në vlerësimet shumë pozitive të dhëna nga grupi i ekspertëve të spitalit “San Raffaele” pas inspektimeve në terren.
“Përshtypjet për mjekët dhe personelin kanë qenë të jashtëzakonshme. Kjo është baza e fortë mbi të cilën ne mund ta ndërtojmë këtë qendër ekselence për shëndetësinë në Ballkan,” përfundoi Rama.
