Hetimet për vrasjen e studentes shqiptare Ilaria Sula kanë marrë një kthesë të re, ndërsa autoritetet italiane po thellojnë analizat mbi provat e gjetura në vendngjarje.

Sipas mediave italiane, në valixhen ku u fsheh trupi i 24-vjeçares dhe më pas u hodh në një zonë pyjore jashtë Romës, janë gjetur gjurmë ADN-je që i përkasin një burri. Kjo ka ngritur dyshime të reja për përfshirjen e një personi tjetër në ngjarje.

Vëmendja e hetuesve është përqendruar aktualisht tek babai i Mark Antony Samson, ish-i dashuri i viktimës dhe autori i dyshuar i krimit. Ai nuk është ende zyrtarisht nën hetim, por po hetohet mundësia e përfshirjes së tij pas kryerjes së vrasjes.

Sipas dëshmisë së dhënë më herët nga nëna e autorit, bashkëshorti i saj nuk ndodhej në banesë në momentin e krimit. Ajo ka pranuar se ndihmoi të birin për të pastruar gjurmët e gjakut pas vrasjes.

Megjithatë, për shkak të pranisë së ADN-së mashkullore në valixhe, pritet që babai i Mark Antony Samson të merret sërish në pyetje dhe t’i nënshtrohet analizave për të verifikuar nëse profili i tij gjenetik përputhet me atë të gjetur në vendin e krimit.

Autoritetet italiane po vijojnë hetimet intensive për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike që ka tronditur opinionin publik në Shqipëri dhe Itali.