Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ndarë një video-mesazh në rrjetin e tij në “Facebook”, ku shprehet se bazuar në zhvillimet e fundit në vend Edi Rama i pasigurtë nga shqiptarët.

“Së pari, dua t’ju përshëndes me përzemërsinë më të madhe ata dhjetëra e mijëra qytetarë që me marshin e tyre epik shënuan një fitore të re të kryengritjes sonë paqësore drejt përmbysjes së regjimit diktatorial të Edi Ramës, regjimit të bazuar në krimin dhe drogën.

Do të ndalem pak te zhvillimet.

Shqipëria javën që kaloi ishte e tëra në bankën e akuzës për shkak të Edi Ramës, mbrojtjes që ai u bën vjedhjeve të tij dhe të rrethit të tij, për shkak të sulmeve të egra, kërcënimeve të mëdha që i bëri sistemit të akuzës, vetëm e vetëm sepse e di që radha është e tij.

Në ekspozenë e tij, ai fshehu denoncimin që iu bë Shqipërisë në Bruksel, qoftë në Parlamentin Europian, qoftë në raportin e miratuar nga zyrtarët e lartë të Komisionit Europian.  Në fjalën e tij ai fshehu sulmin e shëmtuar që i bëri Gjermanisë, vendit donator dhe mik që i ka dhënë Shqipërisë 1 miliardë e 500 milionë euro, vetëm e vetëm sepse ky vend nuk pajtohet me vjedhjet e Edi Ramës dhe anturazhit të tij, dhe kërkon nga Shqipëria të respektojë shtetin ligjor, Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Porsa i përket solidaritetit që shprehu me Emiratet e Bashkuara Arabe, solidariteti ynë shkon me të gjitha vendet e Gjirit Persik. Arabinë Saudite, Katarin, Bahrein, Kuvajtin, Emiratet për shkak të këtij agresioni barbar të Iranit ndaj tyre.

Por ajo që të bën përshtypje, nuk gjeti një fjalë për të përgëzuar vrasjen, eliminimin e Ayatollah Khamenei, diktatorit më mizor që Irani ka njohur në historinë e vet dhe njëri nga më mizorët mbi tokë.

Se pse Edi Rama shmangu këtë moment, e kuptoni vetë. Ndjehet vetë i pasigurtë nga shqiptarët, ndjehet vetë i pasigurtë nga bota”, tha Berisha.