Emigrimi nuk nis gjithmonë me valixhe, shpesh nis me një kontratë pune ose me një martesë. Në vitet e fundit, shqiptarët nuk largohen më vetëm për të “provuar fatin”, por për të ndërtuar një jetë të qëndrueshme jashtë kufijve.

“Është një miksim i arsyeve dhe me fokus mos barazinë dhe është shkaktari që ka sjellë këtë masivitet largimi”, shprehet eksperti i ekonomisë Igli Tola.

Emigrimi nuk është më vetëm ekonomik. Martesa është kthyer në një rrugë të rëndësishme largimi, veçanërisht për gratë. Bashkimi familjar dhe martesat me shtetas të huaj ose emigrantë shqiptarë të vendosur prej vitesh jashtë vendit, kanë krijuar një formë më të heshtur, por më të qëndrueshme emigrimi. Ky emigrim nuk është i përkohshëm, është emigrim për jetë.

INSTAT në raportin e diapsorës vë në dukje se pjesa më e madhe e lëvizjeve dhe marrjes së lejeve të qëndrimit lidhet me bashkimin familjar, në vend të dytë për punësim dhe më pak për studim. Teksa meshkujt largohen për të punuar dhe vajzat në një pjesë të rasteve nëpërmjet martesave.

“Largohen për shkak të mungesës së punës, kërkesës për një pagë më të lartë por dhe ritmi ciklit fizioliogjik marin dhe familjet e tyre siç ka qenë me gjeneratat e mëparshme”, thotë eksperti.

Harta e emigrimit shqiptar ka një gjeografi të qartë. Italia dhe Greqia mbeten destinacionet tradicionale, për shkak të afërsisë dhe lidhjeve historike. Gjermania, Zvicra dhe Austria janë zgjedhje për punë afatgjata dhe stabilitet ekonomik. Ndërsa Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA përfaqësojnë “ëndrrën e largët”, ku emigrimi shpesh lidhet me arsim, punë të specializuar dhe integrim brezash.

“Kemi largimin akoma më të madh të krahut të kualifikuar mjekët infermierët që krijojnë vakanca në sistemin shëndetësor”, u shpreh Tola.

Shqipëria, ndërkohë, mbetet vendi nga ku njerëzit nisen jo gjithmonë për t’u kthyer, por për të gjetur atë që u mungon: punë, siguri dhe një të ardhme më të parashikueshme./ Top Channel