Maturantët: Jemi të paorientuar. Duke mos ditur kriteret, nuk dimë kujt duhet t’i kushtojmë rëndësi
Shpresa Mezini
Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për arsimin e lartë, në një prej kapitujve të tij, parashikohet heqja e procesit të Maturës Shtetërore, si kusht për pranimet e reja në universitete. Sipas tij, Matura Shtetërore do të shkrihet për të mos u konsideruar më si proces hyrës, por dalës, çka do të thotë se rezultatet e arritura në provimet e maturës do të shërbejnë vetëm për të përmbyllur ciklin e mesëm, jo më për të konkurruar në shkollë të lartë, siç ka funksionuar prej nëntë vitesh në vendin tonë. Mirëpo, ndërsa Matura Shtetërore nuk do të jetë më një prej kushteve për të fituar të drejtën e studimit në një prej fakulteteve publike të vendit, Ministria e Arsimit mban “peng” udhëzimin që do të përcaktojë kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për t’u pranuar si student. Rreth dy javë më parë, burime zyrtare në MAS sqaruan se do të publikonin udhëzimin, pas konsultimeve me drejtuesit e senateve, lidhur me kriteret që do të propozojë secili, në mënyrë që maturantët të jenë të përgatitur që herët me këtë ndryshim. Por, pavarësisht premtimit, MAS nuk ka publikuar ende asnjë udhëzim që parashikon kushtet që duhet të plotësojnë maturantët që dëshirojnë të ndjekin studimet e larta. Në rrethana si këto, nxënësit ankohen se janë të paorientuar dhe se kërkojnë që MAS-i t’i sqarojë në lidhje me procedurat, në mënyrë që të dinë sesa do të jetë kriteri i mesatares për t’u pranuar si student. “Më herët, kur konkurronim në universitet nëpërmjet rezultateve të arritura në provimet e Maturës Shtetërore, e dinim që duhet t’i kushtonim rëndësi mesatares dhe notave të provimeve, pasi pikët e grumbulluara do të vendosnin nëse do të fitonim ose jo të drejtën e studimit, ndërsa tani, me ndryshimet e reja, nuk dimë asgjë. Dimë vetëm që provimet e maturës do të jenë dalëse, jo hyrëse, por kaq nuk mjafton. I bëjmë thirrje ministres së Arsimit të na shpjegojë se si do të procedohet me ne në vazhdim”, thotë Ervin Nezha, maturant.
Pranimet
Ajo që dihet me siguri, pavarësisht se në mungesë të udhëzimit të Ministrisë së Arsimit, është se sistemi i ri do të lërë pas si procesin e Maturës Shtetërore edhe përvojën më të vjetër në arsimin e lartë, konkursin. Ndryshim ky që pasqyrohet në nenin 77, pika 1, ku thuhet: “Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare, të përcaktuar çdo vit me udhëzim të ministrisë përgjegjëse. Institucionet e arsimit të lartë mund të vendosin edhe kritere pranimi shtesë. Kriteret e përzgjedhjes së kandidatëve shpallen nga institucioni i arsimit të lartë, në fillim të semestrit të dytë të vitit akademik paraardhës dhe i vihen në dispozicion Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe ministrisë përgjegjëse për arsimin”. Kriteret e aplikimit për vijimin e studimeve të ciklit të parë apo atyre të integruara të ciklit të dytë, i ofrohen çdo individi që ka përfunduar me sukses arsimin e mesëm dhe që ka siguruar një prag minimal të rezultateve, përcaktimi i të cilit bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave. Procedurat e aplikimit për ndjekjen e studimeve të ciklit të dytë dhe të tretë i përcaktojnë vetë institucionet e arsimit të lartë.
Vendimi
Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri të arsimit të lartë, merr fund përfundimisht pranimi në universitete nëpërmjet procesit të Maturës Shtetërore. Duke nisur nga ky vit shkollor, maturantët do të testohen vetëm për provimet, që janë kusht për të siguruar diplomën e maturës, jo më për të grumbulluar pikët, që do t’i çonin në auditorët e fakulteteve. Pra nga viti i ri shkollor 2016-2017, procesi i Maturës Shtetërore do të ketë rëndësi dalëse dhe jo hyrëse, siç ka funksionuar për nëntë vite në vendin tonë. Me përjashtim të mesatares, që përbën rëndësi, por edhe kjo vetëm në rastet kur fakulteti vetë vendos një kriter për mesataren, pasi notat që do të marrin nxënësit në provime, do të shërbejnë vetëm për të faktuar nivelin e tyre në lëndë të caktuara.