Ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, pritet të dalë sot përpara Gjykatës së Posaçme, në kuadër të procedurave që lidhen me masën e sigurisë të vendosur ndaj saj.
Seanca për Hysenin është planifikuar të zhvillohet në orën 12:00. Ndaj ish-kreut të SHISH është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa ajo është nën hetim në procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025.
Përpara se Hyseni të paraqitet në gjykatë, në orën 09:00 është parashikuar marrja në pyetje e Fatjon Kalluçit dhe Embro Sulejmanit, dy personat e tjerë nën hetim në të njëjtin procedim. Ndaj tyre është vendosur masa e sigurisë “arrest në burg”.
Gjykata e Posaçme ka bërë të ditur se SPAK depozitoi më 23 shtator kërkesat për marrjen në pyetje të tre personave, duke përcaktuar edhe oraret përkatëse të seancave.
Sipas njoftimit zyrtar, Vlora Hyseni dyshohet për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal. Fatjon Kalluçi është nën hetim për veprën e parashikuar nga neni 295/a/1, ndërsa Embro Sulejmani për atë të parashikuar nga neni 302/2.
“Seanca për marrjen në pyetje të personave nën hetim Fatjon Kalluçi dhe Embro Sulejmani është caktuar më datë 24.09.2026, ora 09:00, ndërsa për personin nën hetim Vlora Hyseni është caktuar më datë 24.09.2026, ora 12:00”, bëhet e ditur në njoftimin e gjykatës.
Seancat e sotme zhvillohen në kuadër të procedurave gjyqësore që pasojnë caktimin e masave të sigurisë, ndërsa hetimet ndaj tre personave vijojnë.
