Me shtimin e lëvizjeve gjatë sezonit veror dhe rritjen e numrit të aksidenteve rrugore, Policia Rrugore e Elbasanit ka intensifikuar kontrollet dhe ka rritur praninë e saj në akset kryesore të qarkut.

Sipas autoriteteve, shpejtësia tej normave të lejuara dhe parakalimet e gabuara vijojnë të jenë ndër faktorët kryesorë që çojnë në aksidente.

Shefi i Policisë Rrugore të Elbasanit bëri të ditur se shkeljet më të shpeshta të konstatuara gjatë kontrolleve janë tejkalimi i shpejtësisë, parakalimet në kundërshtim me rregullat, përdorimi i telefonit celular gjatë drejtimit të mjetit, si dhe mosvendosja e rripit të sigurimit.

Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve dhe të gjithë përdoruesve të rrugës të tregojnë kujdes dhe të respektojnë Kodin Rrugor, duke theksuar se pjesa dërrmuese e aksidenteve ndodhin si pasojë e shkeljeve të rregullave të qarkullimit dhe jo për shkak të problemeve të infrastrukturës.