Kryeinspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, ka zhvilluar një takim këtë të mërkurë me kryeinspektorët e qarkut të Korçës. Pas takimit, Sula doli në një deklaratë për mediat, duke theksuar shqetësimin për praninë e produkteve të skaduara dhe të falsifikuara në treg, ndërsa u bëri apel qytetarëve që të denoncojnë çdo rast.
Kryeinspektori paralajmëroi nisjen e aksioneve të befasishme që nga dita e nesërme, ku do të kontrollohen supermarkete dhe linja prodhimi.
“Nëse do kishit mundësinë që këtë informacion që keni ju, do duhet ta adresoni në platformë, ne reagojmë menjëherë. Ditën e nesërme, ne si inspektoriat i përgjithshëm, në disa subjekte të padeklaruara dhe të painformuara nga inspektoriatet e zonës këtu, do shkojmë bashkë me ta për inspektim. Ne kemi përzgjedhur edhe supermarkete, edhe linja prodhimi, për të qenë një inspektim i befasishëm, urgjent, i rrufeshëm për të parë nëse ka shkelje apo jo”, tha ai.
Sula mohoi që inspektoriatet janë jashtë funksionit, por pranoi problematikat, duke sjellë si shembull rastin e fundit në Shkodër, ku janë marrë 15 masa disiplinore ndaj inspektorëve, përfshirë 10 shkarkime nga detyra, pas lejimit të hyrjes së misrit me aflatoksinë B1.
“Jo, nuk janë jashtë funksionit. Ka problematika pa diskutim. Unë kam ditën e 69-të në krye të inspektoriatit dhe ju bëj me dije se ndoshta një vendim para dy ditësh, kur ka marrë inspektoriati i përgjithshëm për rastin e Shkodrës, 15 masa disiplinore ku 10 prej tyre janë shkarkim nga detyra i inspektorëve, për shkak të hyrjes së misrit me afotoksinë B1 i cili është i dëmshëm edhe për kafshët. Unë i kam vendosur dhe për çdo rast sinjalizimi ne do ti ndëshkojmë. Ccdo masë administrative që ankimohet nga subjekti, ka dy rrugë, ose rri në fuqi masa e vendosur nga inspektimi, ose kjo masë shfuqizohet por me një kusht, në rast padrejtësie që fillon masë administrative për inspektorin”, tha ai.
Sa i përket tregu të ushqimeve, ku specialistët ngrenë alarm për helmimin e qytetarëve. Sula u shpreh se gjurmueshmëria e produkteve është tepër me rëndësi.
“Shumë e drejtë. Besoj që e keni ndjekur këto dy muaj që znj. Gjylameti është në krye të AKU-së dhe unë si kryeinspektor i përgjithshëm kemi filluar një valë inspektimesh që po jep rezultate. Javën e kaluar në Shkodër u bë e mundur bllokimi i 110 kuintalëve. Unë përsëri apeloj: ka të bëjë shumë me kulturën qytetare, pra ndjekjen dhe vigjilencën e tyre për të sinjalizuar inspektoriatin. Është shumë e rëndësishme gjurmueshmëria dhe për këtë arsye po përgatiten sisteme që do të ndjekin gjurmueshmërinë e produkteve, sepse nga 5 produkte në Shqipëri, 3 ose 4 janë nga importi, me hyrje në pikat doganore të Kapshticës, Qafë Thanës dhe pika të tjera. Me anë të gjurmueshmërisë do të dihet si ka hyrë, çfarë certifikate sigurie ka dhe afati kohor.”, tha Sula.
Ai u pyet gjithashtu edhe për pallatin e djegur në Tiranë, lidhur për hetimet mbi shkaqet e zjarrit. Kryeinspektori tha se Insopektorati i Përgjithshëm i ka vënë në dispozicion Prokurorisë të gjitha gjetjet për rastin.
“Unë kam nxjerrë tre urdhra: një urdhër urgjent ditën që ndodhi ngjarja, ku IKMT dhe Inspektoriati Shtetëror Industrial, i cili mbikëqyr enët e gazit, bombolat, enët në presion dhe energjinë elektrike, janë angazhuar. Jemi në bashkëpunim të ngushtë edhe me Prokurorinë e Tiranës dhe i kemi vënë në dispozicion të gjitha gjetjet tona. Ditën e djeshme u certifikuan 5 ashensorë në pallate të tjera dhe u bë e mundur të viheshin në funksion, por ju garantoj një përgjigje zyrtare shumë shpejt. Kam firmosur edhe dy urdhra të tjerë për Inspektoriatin Shtetëror Industrial: një urdhër i rëndësishëm për kontroll të imtësishëm nëse në këto ambiente ka enë me presion që rrezikojnë jetën e qytetarëve apo subjekte që mund të përdorin bombola gazi me fuqi të madhe. Një tjetër urdhër i rëndësishëm për IKMT lidhet me metodologjinë që do të ndiqet për pallatet e reja, të cilat janë ndërtuar apo janë në ndërtim, për materialet që përdoren, të cilat duhet të jenë të certifikuara, të kenë hyrë nga pikat doganore dhe të jenë të kontrollueshme. Ata pronarë pallatesh që kanë marrë leje ndërtimi dhe nuk përfundojnë të gjitha punimet vetë, por i delegojnë tek nënkontraktorë të paidentifikuar dhe pa përgjegjësi, ndërkohë që aktin e kolaudimit e firmos vetëm pronari i lejes ,kjo është një praktikë që mund të sjellë abuzime për uljen e kostove”, u shpreh Sula.
