Një masakër mjedisore po ndodh në malin e Sevranit në Skrapar, aty ku një kompani e licencuar për shfrytëzimin e pyllit dyshohet se ka prerë pa kriter qindra pemë, duke shkelur procedurat ligjore që rregullojnë administrimin e fondit pyjor.
Pamjet e siguruara nga emisioni Fiks Fare tregojnë stiva drush të vendosura përgjatë rrugës, me gjatësi që arrijnë deri në 10 metra, ndërsa në zonë shihen sipërfaqe të tëra të zhveshura nga pemët. Punëtorët e firmës vijojnë prerjen e pyllit, por sapo konstatojnë praninë e dronit largohen nga vendi.

Gjatë bisedës me gazetarët, dy punëtorë që kryenin prerjen e druve pranojnë se nuk kanë parë asnjë pemë të damkosur përpara prerjes. Ata deklarojnë se njohin vetëm emrin e pronarit të firmës, Sokol, ndërsa njëri prej tyre tregon se ka punuar prej vitesh në sektorin pyjor dhe se në raste të tjera pemët që duheshin prerë ishin të identifikuara më parë nga autoritetet.

“Kam punuar gjithë jetën në pyje. Kur kam punuar në Korçë, pemët ishin të damkosura. Këtu po i presim vetë dhe jemi munduar të lëmë ndonjë pa prerë”, shprehet ai.

Përballë gazetarëve mbërrin edhe pronari i firmës, i cili deklaron se disponon leje të rregullt shfrytëzimi. Por kur pyetet se kush ka përcaktuar pemët që duhej të priteshin dhe ku ndodhen pemët e damkosura, ai fillimisht pretendon se procedurat janë ndjekur, por më pas nuk arrin të tregojë asnjë pemë të damkosur në terren. Në fund të bisedës ai kërkon ndërprerjen e xhirimeve.

Edhe drejtori i shërbimit pyjor pranë Bashkisë Skrapar pranon se pemët nuk janë damkosur, ndonëse kjo është një procedurë e detyrueshme përpara çdo prerjeje. Sipas tij, firma është e pajisur me leje për prerje drush zjarri, ndërsa inspektori i zonës ka kryer kontroll, por ende nuk ka dorëzuar procesverbalin përkatës.

Drejtori pranoi se damkosja e pemëve duhej të ishte kryer dhe premtoi se do të dilte menjëherë në terren për të verifikuar situatën dhe për të marrë masa ndaj firmës nëse konstatohen shkelje.

Pas interesimit të gazetarëve, në dijeni të rastit u vu edhe kryetari i Bashkisë Skrapar, i cili premtoi verifikimin e plotë të procedurave dhe marrjen e masave administrative ndaj çdo personi apo institucioni që ka shkelur ligjin, duke pranuar edhe përgjegjësinë institucionale për situatën e krijuar.


Top Channel
