Pavarësisht se është zonë e mbrojtur, në Parkun Arkeologjik të Finiqit disa buldozerë kanë nisur gërmimet pa kriter. Dy mjete tip skrep ishin të stacionuar në sit, por në momentin që grupi i Top Channel po afrohej askush nuk po punonte.
Punimet ishin ndalur që ditën e djeshme, kohë në të cilën policia i konstatoi, teksa gërmimet janë kryer në mes të ditës nga këto mjete të rënda. Pas dhënies së alarmit nga disa turistë, policia, drejtoria e monumenteve të kulturës dhe IKMT zbarkuan në terren dhe kërkuan nga punonjësit lejen për ndërhyrjen që po kryhej.
Dyshimet e turistëve që ngritën alarmin për këto punime janë se persona të paautorizuar kanë punuar për qëllime përfitimi personale. I vetmi dokumentacion që disa punonjës kishin ishte një miratim i vitit 2021, ku kërkohej ndërhyrja në muret rrethuese të sitit arkeologjik.
Por a lejohet ndërhyrja me mjete të renda në sitin arkeologjik ? A ka pasur leje dhe a janë vendosur në dijeni për këtë ndërhyrje IKMT, Bashkia e Finiqit dhe instancat e tjera?
Në një reagim të fundit, Bashkia e Finiqit i tha Top Channel se nuk kishte asnjë dijeni për asnjë ndërhyrje.



