Policia greke ka zbardhur ngjarjen tronditëse që ndodhi në shkurt të këtij viti në ishullin Zakynthos, ku një notere 69-vjeçare u gjet e vrarë pranë banesës së saj. Sipas hetimeve të kryera nga Departamenti i Vrasjeve, tre shtetas shqiptarë janë arrestuar si autorë të dyshuar të krimit, mes tyre një ndërtues 54-vjeçar që dyshohet se ka organizuar ngjarjen dhe ka goditur viktimën me thikë.

Personi kyç që ndihmoi në zbardhjen e ngjarjes ishte një 50-vjeçar nga Nemea, i cili, i ndaluar nga policia, rrëfeu në detaje planin dhe rolin e secilit. Ai pranoi se kishte udhëtuar drejt Zakynthosit një ditë para ngjarjes dhe kishte bashkëpunuar me mikun e tij që jetonte në ishull. Ky i fundit kishte informacion se viktima mbante para dhe sende me vlerë në shtëpi.

Të tre autorët qëndruan në një apartament me qira, i cili më pas rezultoi të ishte në pronësi të ndërtuesit 54-vjeçar. Ditën pas mbërritjes, ata u maskuan me doreza, kapuça dhe maska dhe ngritën një “barrikadë” për të pritur viktimën kur të kthehej nga puna.

Sapo gruaja arriti në banesë, ata e sulmuan dhe e kërcënuan me thikë. Ajo bërtiti, por askush nuk e dëgjoi, dhe më pas u kap dhe u mbajt me forcë. Në përpjekje për të shpëtuar, 50-vjeçari nga Nemea tentoi ta largonte autorin kryesor nga gruaja, por gjithçka doli jashtë kontrollit. Viktima u rrëzua në tokë dhe u godit me thikë në kofshë, plagë që preku arterien femorale dhe çoi në humbje të menjëhershme gjaku.

Sipas policisë, babai dhe shoku i tij ishin ata që hynë me fytyra të mbuluara në shtëpinë e viktimës, ndërsa djali 21-vjeçar i ndërtuesit shërbeu si bashkëpunëtor dhe transportues.

Trupi i pajetë i viktimës u gjet nga i biri të nesërmen në mëngjes, në shkallët pranë makinës së saj. Ekspertiza mjeko-ligjore konfirmoi se vdekja ishte shkaktuar nga një plagë e thellë me thikë, që solli humbje gjaku dhe vdekje brenda pak minutash.