AMP ka kallëzuar në Prokurori disa prej efektivëve të Policisë së Shkodrës lidhur me masakrën në Dobraç më 30 tetor, ku humbën jetën katër persona, mes tyre dy qytetarë të pafajshëm.
Efektivët e policisë akuzohet se shpërdoruan detyrën, sepse nuk ndaluan personin e tretë që ndodhej në makinë me dy viktimat, Hamza Lici dhe Arlind Bushati.
Prania e tij në vendngjarje u zbulua pasi hetuesit siguruan pamjet e kamerave që ndodheshin në zonë, ku ai shfaqej duke dalë nga makina e viktimave i gjakosur. Kërkimet për të u shtrinë në spitalet private të vendit, ku dyshohej se mund të ishte duke marrë ndihmë mjekësore pas plagosjes, megjithatë, deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të tij.
Dyshohet se ai është Ibrahim Lici, vëllai i Hamza Licin, një nga viktimat e atentatit, për shkak të ngjashmërisë së madhe mes tyre.
Një makinë në lëvizje me autorët qëlloi me armë zjarri drejt Hamza Licit dhe Arlind Bushatit më 30 tetor.
Lici ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa Arlind Bushati luftoi për jetën në spital për disa orë pasi mori një plumb në kokë dhe ndërroi jetë më vonë. Nga kjo ngjarje humbën jetën dhe dy persona të pafajshëm, Bashkim dhe Flutura Basha, të cilët u përplasën nga makina e Licit dhe Bushatit, pas breshërisë së plumbave.