Në përpjekje për të shpëtuar nga dëshmia tronditëse e Melain Bellanicës për kasetën origjinale të dorëzuar, kryedemokrati Basha po sponsorizon mediat pranë tij, që të dalin me idenë se videon e masakrës së Krushës së Madhe e ka Dashamir Peza, ish-deputet i Partisë Sociale, duke iu shmangur kështu përgjegjësisë.


Dashamir Peza, në vitin 1999 ka qenë i paangazhuar politikisht me PS-në, dhe se asaj kohe ishte përkthyes i gazetarëve të huaj, duke i shoqëruar në zonën e luftës së Kosovës. Peza gjithashtu ka shoqëruar gazetarin të BBC-së, George Alagiah, për të përkthyer takimet që bënte ky i fundi. Pra, me pak fjalë, Peza nuk përfaqësonte ndonjë institucion.


Ky fakt pranohet edhe nga vetë kameramani i Krushës, Melaim Bellanica në dëshminë e dhënë në vitin 2019-ën për Indok të Insajder. Por që mediat pranë opozitës po e shesin si lajm “skup”, lajm të madh se kasetën e mori Peza, në një kohë që vetë Bellanica thekson se “videon origjinale ia dorëzova përkthyesit të gjykatës së Hagës, Lulzim Bashës”.



“Ata kanë marrë kopjen origjinale që ia kam dhënë Lulzim Bashës. Basha ka qenë përkthyesi i gjyqit të Hagës, ai ka ardhur bashkë me të.” – thotë Melaim Bellanica, në vitin 2019.



Sipas Bellanicës, Pezën kërkoi që ta padiste në gjykatë për shkak të mos mbajtjes së premtimeve për ta larguar nga Shqipëria, ku me anë të gazetarëve të BBC i kishin premtuar edhe një pagesë për filmimet e kryera.


Pra, Peza ishte personi që e kishte gënjyer për paratë, ndërsa Basha personi që e zhduku kasetën origjinale të masakrës së Krushës së Madhe.


Kjo është totalisht e qartë dhe e denoncuar nga Melaimi disa herë në të shkuarën, madje edhe në këtë intervistë të dhënë për Insaider.



Pjesë nga dëshmia e Bellanicës për emisionin Indoks në vitin 2019


Më ka ardhur një gazetari Geroge Alagiah dhe më ka ndihmuar më ka çuar në një banesë Kukës. Ka qenë një përgjegjës Amerikës e BBC, ajo më ka ndihmuar shumë, ajo më ka dhënë lekë për të jetuar dhe as nuk kisha e as lekë dhe isha lajmëruar kurrkund. Edhe pse gjërat siç kishim rënë dakord në marrëveshje kanë qenë ndryshe. .


Këto dy ta kanë marrë materialin dhe s’të kanë kontaktuar?


Këto kanë keqpërdor të dhënat për mua që i ka dhënë BBC për mua që kanë qenë të obliguar për me m’i dhanë. I kanë marrë për vete, materialin i kanë marrë. Kontratat e mia i kanë marrë, nënshkrimet, nuk i kam, m’i kanë marrë, nuk i kam për këto gjërat që deklaroj. Janë Dashmir Peza dhe Lulzim Basha. Këto dy janë krejt personat që kanë përfituar në emrin tim.


A e ke takuar Lulzim Bashën?


E kam parë tesh tre vjetësh (2016-ën). Nuk të kam keqpërdorur më ka thënë, po hajde edhe një herë. E kam lënë në mëshirën e Zotit. Por çka më vjen mas randi prej ish prokurorit të Shqipërisë, kam shku me e padit Dashamir Pezën, prokurori Arben Rakipi nuk më ka pranuar në asnjë gjykatë në Tiranë me e ba padinë për Dashamirë Pezën…


Çfarë pozite ka pasur Dashamir Peza aty?


Dashamir Peza ka pasur një hotel të vetin, person që ka punuar për këta të huajt. Kryeprokurori Arben Rakipi nuk më ka pranuar në asnjë vend të gjykatës, që ta padisja për faktin që nuk më larguan prej Shqipërisë. Ato lekë që kanë qenë për me dhënë për mua, nuk i janë dhënë, i ka marrë tjetër kush. Kurse unë shumë qartë e kam treguar se unë i marr këtë lek me ia dhënë atyre që janë dëmtuar nga lufta.


©Copyright Gazeta Shqip


Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Shqip, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Shqip dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.