Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Orges Bilbilit dhe Anterio Kaloshi duke lënë në fuqi burgimin e përjetshëm për masakrën e 2017 në Lushnje. Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe avokati i të dënuarve Detar Hysi.

“Gjykata e Lartë nuk ka vlerësuar me objektivitet dhe në përputhje me ligjin shkaqet e rekursit të parashtruara nga ana jonë duke i dhënë këtij procesi nuanca privatizimi. Gjykata e Lartë ka cënuar rëndë sigurinë kombëtare, sigurinë e jetës dhe sigurinë e pronës”, tha avokati.

Bilbili, Kaloshi dhe Laert Haxhiu që njihet si kreu i grupit akuzohen si autor të masakrës së 2017 në Lushnje ku mbetën të vrarë Zamir Latifi e Jurgen Hoxha dhe të plagosur Marjus Xhepexhiu e Bujar Turku teksa shënjestër ishte Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares.

Ndërkohë për këtë ngjarje është dënuar përjetë edhe Laert Haxhiu në dy shkallë të gjyqësorit, ndërsa rekursi i mbrojtjes së tij në Gjykatën e Lartë është në pritje për tu shqyrtuar.

Shtetasi Laert Haxhiu, më datë 25.09.2016, ka plagosur me armë zjarri shtetasit Xhulio Shkurtin nipin e Aldo Bares dhe Saimo Xheliu. Lidhur me aktivitetin e këtij grupi kriminal, Artan Tafani një grabitës pike financiare në Astir, pas arrestimit të tij, u bë bashkëpunëtor i drejtësisë duke zbardhur të paktën 6 ngjarje kriminale, ku Laert Haxhiu sipas tij ishte organizator, pjesëmarrës ose porositës deklarime që çuan në goditjen e grupit të Haxhiut.