Shkeljet


Sasia e pemëve – Dokumenti i Lejes së mjedisit përmban kushte të përgjithshme dhe nuk saktëson në mënyrë konkrete sasinë e pemëve që autorizon të priten, sasinë dhe llojet që duhet të mbillen


Mbetjet – Dokumenti i lejes nuk përmban edhe vendin ku do të depozitohen mbetjet inerte të gërmimit, duke rrezikuar që këto mbetje të flaken në brigjet e lumit Erzen, duke i shtuar koston mjedisore këtij projekti.


26 qershor – Në këtë datë Inspektorati Mjedisor gjobiti Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve për nisjen e punimeve pa lejen përkatëse


1 milion lekë – Gjoba e 2 inspektorëve ishte 1 milion lekë për prerjen e pyjeve, pa lejen e marrë mjedisore pranë Qendrës Kombëtare të Licencave


4 korrik – Ministria e Mjedisit, pas masakrës urbane të bërë në Parkun Kombëtar, lëshoi urdhrin pro punimeve, më datën 4 korrik


31 korrik – Qendra Kombëtare e Licencave e ka publikuar vendimin, më datën 31 korrik, me 27 ditë vonesë, duke saktësuar dhe fazën e punimeve


Konsultimi – Përpara se të jepej një leje e tillë, më parë duhet të ishin zhvilluar konsultimet me grupet e shoqërisë. Kjo gjë nuk ka ndodhur, duke përbërë dhe një shkelje nga ministria


Segmenti I – Nga kryqëzimi i Unazës së Madhe të Tiranës me Rrugën e re (Tiranë-Elbasan) deri në kryqëzimin e Fakultetit “Histori-Gjeografi”, me gjatësi 2 126 ml dhe gjerësi 2X8 ml


Segmenti II – Nga kryqëzimi i Fakultetit “Histori-Gjeografi” deri tek bar pastiçeri “Verona” pranë Stadiumit “Qemal Stafa”, me gjatësi 200 ml, me gjerësi të rrugës 8.5 ml, asfaltim me gjerësi 2X3 ml


Vendimi për lejen, publikohet me 27 ditë vonesë


BLEDAR HOTI


Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, dha urdhrin për prerjen e pemëve në Parkun Kombëtar të Tiranës. Në një vendim të 4 korrikut të 2012-s, ministri Mediu nxori Akt-miratimin për autorizimin mjedisor për ndërtimin e segmentit rrugor në Fakultetin “Histori-Gjeografi”. Pavarësisht debateve se punimet nisën pa lejen mjedisore, Ministria e Mjedisit duket se është tërhequr, duke e miratuar autorizimin për kryerjen e punimeve. Pikërisht ky legalizim punimesh bën që bashkia e Tiranës të vijojë punën e saj për zgjerimin e rrugës, si pjesë e unazës së madhe. Leja e mjedisit është lëshuar nëpërmjet QKL-së dhe i mundëson Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve ndërhyrjet në mjedis për zgjerimin e rrugës. Sipas të dhënave, të publikuara nga QKL-ja e që disponohen nga gazeta “Shqip”, kërkesa për Leje mjedisi është paraqitur nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve që në muajin qershor dhe ka qenë në proces shqyrtimi në Ministrinë e Mjedisit dhe në Agjencinë Rajonale të Mjedisit Tiranë. Duket se ka pasur një hezitim dhe nga vetë Ministria për të publikuar vendimin, i cili është marrë që në datën 4 korrik, por është botuar në faqen e licencave të QKL-së vetëm në datën 31 korrik. Leja i është lëshuar Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, në një kohë kur ky institucion është zënë në flagrancë nga vetë Inspektorati i Mjedisit, për dëmin mjedisor të shkaktuar në Liqenin e Tiranës dhe zbatimin e punimeve pa Leje mjedisi. Bazuar në legjislacionin në fuqi, kryerja e dëmit mjedisor përbën shkelje ligjore deri në ndjekje penale, ndërkohë që nuk ka asnjë informacion se si është trajtuar ky rast nga vetë Ministria, e cila nëpërmjet lejes së mjedisit, duket se e ka legalizuar dhe dëmin dhe shkeljen ligjore, të konstatuar dhe të dokumentuar nga Inspektorati mjedisor. Ky institucion, më 22 qershor, gjobiti me shumën 1 milion lekë të reja, për shkak të mosaplikimit për Leje mjedisore pranë QKL-së. Por siç duket, Ministria e Mjedisit është tërhequr, duke pranuar që të kryhet masakra ndaj Parkut Kombëtar.


Shkelja proceduriale


Sipas ambientalistëve të Shoqërisë Civile, me përvojë në vendimmarrjen mjedisore, Leja mjedisore është lëshuar në kundërshtim dhe në shkelje të disa akteve ligjore të miratuara nga vetë Qeveria. Më konkretisht është shkelur Vendimi i Këshillit të Ministrave nr.994, datë 2.7.2008 për tërheqjen e mendimit të publikut në vendimmarrje për mjedisin. Ky vendim i vitit 2008, i hartuar në përputhje me Konventën e Arhusıt “Për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit”. Sipas këtij vendimi, Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, brenda 5 ditëve nga paraqitja e kërkesës për leje mjedisi duhet të siguronte pjesëmarrjen e publikut, ku të realizonte njoftimin e tij. T’i viheshin në dispozicion: • Një përmbledhje të projektit teknik dhe të raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis të veprimtarisë, e cila hartohet nga kërkuesi në 10 kopje;


•    Projekt-lejen mjedisore për veprimtarinë, në 5 kopje;


•    Tri kopje të dosjes së plotësuar nga kërkuesi, kur pjesëtarë të publikut duan të njihen në mënyrë të plotë me të.


Praktikisht ky proces nuk është realizuar dhe Leja e mjedisit është dhënë në mungesë të plotë të transparencës publike. Po ashtu, vetë dokumenti i Lejes së mjedisit përmban kushte të përgjithshme dhe nuk saktëson në mënyrë konkrete sasinë e pemëve që autorizon të priten, sasinë dhe llojet që duhet të mbillen apo dhe vendin ku do të depozitohen mbetjet inerte të gërmimit, duke rrezikuar që këto mbetje të flaken në brigjet e lumit Erzen, duke i shtuar koston mjedisore këtij projekti.