Autori i dyshuar i masakrës së Shkodrës, Ragip Gila ka dalë ditën sotme në Gjykatën e Shkallës së Parë.
Prokuroria ka kërkuar ndaj tij masën më të rëndë të sigurisë, “arrest me burg”, ndërsa seanca po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie. Gjyqtare e çështjes është Ermira Dedja, ndërsa prokuror i çështjes është Pjerin Çukaj.
Gila akuzohet për vrasjen e Armando Palit dhe Liridon Kraja alias Lushi, si dhe për plagosjen e rëndë të Erogen Vasos Brajoviç dhe Meri Kacerit, kameriere e lokalit. Atentati i rëndë ndodhi mëngjesin e 8 shtatorit në një lokal në qendër të qytetit të Shkodrës, ku shënjestër ishte Brajoviç.
Gila fillimisht u arratis nga vendngjarja por u vendos në pranga disa minuta më vonë.
28-vjeçari, banues në Shkodër, u arrestua për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, “Vjedhja me armë”, “Shkatërrimi i pronës”, ”Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Vjedhja”.