Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë dhe dënimin me burgim të përjetshëm të Fran Marashit. Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha raporton se Marashi u shpall fajtor për masakrën e Urës Vajgurore të 17 qershorit 1997, ku u vranë 4 efektivë policie dhe u plagosën 6 të tjerë.

Fran Marashi pretendoi se nuk i janë respektuar të drejtat dhe liritë themelore për një proces të rregullt ligjor gjatë gjykimit në mungesë. Ai ishte shprehur se ishte dënuar padrejtësisht dhe se në kohët kur gjykata ka dhënë vendimin, nuk ka pasur dijeni se ndaj tij zhvillohej një proces hetimor. Marashi deklaronte se dënimin dhe akuzat i kishte mësuar pasi ishte ekstraduar në Shqipëri teksa i ka mohuar ato.

Ai është ekstraduar nga Italia në vitin 2007, ndërsa dy vite më vonë, tentoi të arratisej nga burgu i Burrelit bashkë me Preng Lleshin, anëtar tjetër i bandës së Urës Vajgurore, veprim për të cilin do të deklaronte se e bëri për të tërhequr vëmendjen që procesi ndaj tij të rihapej.

Kjo çështje po rigjykohet pas kthimit nga Gjykata e Lartë. Përveç Marashit, me burgim të përjetshëm janë dënuar edhe Musa Protoduari dhe Shkëlqim Protoduari, ndërsa disa persona të tjerë janë dënuar me 25 vite burg. Fran Marashi mbahet prej kohësh në regjimin e posaçëm 41-bis.