Bashkëkryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, LZHK, Ekrem Spahiu ka reaguar masakrën e Shkodrës me 2 të vrarë dhe 2 të plagosur mëngjesin e sotëm, teksa autori Ragip Gila ishte liruar nga qelia 6 muaj më parë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spahiu shprehet se krimi i organizuar dhe ai ordiner bashkëjetojnë me politikën dhe përbëjnë ankthin kryesor të shoqërisë shqiptare. Spahiu shkruan se ringritja e xhandarmërisë e shoqëruar me rivendosjen e dënimit me vdekje për disa kategori të veprave shumë të rënda, do të ishin zgjidhjet për vendosjen e rendit dhe sigurisë në vend.
“Ringritja e xhandarmërisë, sipas modelit të Mbretërisë shqiptare dhe rivendosja e dënimit me vdekje për krime shumë të rënda, janë emergjencë kombëtare. Shkodra u përgjak sërish nga një ngjarje kriminale në mes të qytetit, me dy viktima dhe dy të plagosur. Vrasësi u arrestua dy vite më parë për bashkëpunim në krim, por u lirua.
Krimi i organizuar dhe ai ordiner në bashkëjetesë me politiken, vijojnë të përbëjnë ankthin kryesor të shoqërisë shqiptare. Krimi, jo vetëm që nuk ka frikë nga shteti, por e komandon atë.
Në këto kushte, ‘Lëvizja për Zhvillim Kombëtar’ shpreh bindjen e saj se, ringritja e xhandarmërisë sipas modelit të Mbretërisë shqiptare 1928-1939, me statusin e një force elitare sigurie, shoqëruar edhe me rivendosjen e dënimit me vdekje për disa kategori të mirëpërcaktuara veprash penale shumë të rënda, përbëjnë zgjidhjen e duhur për vendosjen e sigurisë publike e në veçanti të jetës së qytetarit, në gjithë teritorin e vendit”-, shkruan Spahiu.