Ragip Gila, i akuzuari për vrasjen e dy personave dhe plagosjen e dy të tjerëve më 8 shtator në ambientet e jashtme të një lokali në qendër të Shkodrës, është transferuar në paraburgimin 302 në Tiranë, ku mbahet nën masa të veçanta sigurie.

Gila ndodhet në një qeli të izoluar prej dy ditësh, pas vendimit të Gjykatës së Shkodrës për “arrest në burg”, për të shmangur çdo incident të mundshëm, duke marrë parasysh rrezikshmërinë e tij dhe natyrën e rëndë të krimit.

Në sulmin e armatosur, Erogen Brajoviç mbeti i plagosur rëndë, ndërsa truproja i tij, Liridon Kraja (më parë Lushi), dhe një tjetër person, Armando Pali, humbën jetën. Në përplasje u plagos edhe kamerierja 25-vjeçare, Meri Kacerri, e cila pësuar lëndime serioze në gjymtyrë, dhe familja e saj ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për trajtimin mjekësor.