Qytetarët në Shkodër kanë paralajmëruar një protestë në formë homazhi ditën e sotme për viktimat e masakrës së ndodhur pasditen e djeshme.
Në posterin e publikuar në rrjetet sociale, theksohet se homazhet do të bëhen sot në oren 18:00, ndërkohë që slogani i protestës është: “Shkodra i thotë jo krimit”.

Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme në Dobraç të Shkodrës, ku në rrugën kryesore që lidh qytetin me Malësinë e Madhe, një automjet i ka prerë rrugën një “Mercedes”-i duke qëllua me breshëri kallashnikovi mbi të.
Viktimat janë Hamza Lici që vdiq në vendin e ngjarjes, Arlind Bushati i cili ndërroi jetë në spital dhe Flutura Basha, e cila ishte një kalimtare e rastit në atë rrugë, teksa ndodhej me bashkëshortin e saj në një motor. Ndërkohë, ky i fundit, identifikuar si Bashkim Basha është plagosuri rëndë. Në makinën e viktimave shofer ka qenë Hamza Lici dhe pasagjer Arlind Bushati. Lici ka humbur kontrollin e makinës duke marrë para dhe motorin në të cilin ndodhej çifti Basha.