Pas atentatit të rëndë të ndodhur mëngjesin e sotëm në Shkodër, ku u vranë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë, ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë, Benet Beci.
Në një reagim në rrjetet sociale, Beci shprehu tronditjen për ngjarjen dhe kërkoi ndëshkim të ashpër ligjor për autorët.
“Të dashur qytetarë, ky mëngjes për Shkodrën nuk ishte ai i zakonshmi, siç ndodh çdo ditë në qytetin tonë. Një ngjarje kriminale që duhet të marrë ndëshkimin e ashpër të ligjit ka tronditur zemrën e qytetit,” u shpreh kryebashkiaku në reagimin e tij.
Beci bëri të ditur se ka qenë në kontakt me Ministrin e Brendshëm dhe strukturat e rendit, duke kërkuar që ngjarja të trajtohet me prioritet dhe autorët të përballen me forcën e ligjit.
“Kam kontaktuar me Ministrin e Brendshëm dhe me të gjitha strukturat që luftojnë krimin, në emër të jetës dhe sigurisë së qytetarëve të Shkodrës, të cilët nuk meritojnë të përballen me skena të tilla,” theksoi ai.
Ngjarja e rëndë që ndodhi rreth orës 08:50 ka rikthyer shqetësimin për sigurinë publike në qytet, duke ngjallur reagime të forta si nga qytetarët, ashtu edhe nga autoritetet vendore dhe qendrore. Policia ka arrestuar autorin e dyshuar Rakip Gila, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur motivet dhe lidhjet pas atentatit.