Valter Bami është arrestuar si person përgjegjës në lidhje me vrasjen e ndodhur tre ditë më parë në Larushkë të Krujës, ku objektiv ishte Gentjan Bejtja, por u vra kunati i tij dhe mbetën të plagosur dy fëmijët.

Ekspertët kanë gjetur në duart e tij faktorë plotësues në lidhje me ngjarjen, duke përfshirë mbetje baruti, që tregojnë se ka përdorur armë.

Bashkë me të janë shoqëruar mbrëmjen e sotme edhe dy miq të Valter Bamit, si persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen. Në dëshminë e parë ai deklaroi se nuk ka lidhje me ngjarjen, por hetuesit dyshojnë se është i përfshirë. Aktualisht ai akuzohet për “armëmbajtje”, deri në momentin që do i gjenden prova më të forta për ta fajësuar për atentatin.

Njoftimi nga policia

Në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e datës 03.07.2023, ku në fshatin Larushkë, Krujë, në oborrin e banesës së shtetasit G. B., është qëlluar me armë zjarri e si pasojë ka humbur jetën shtetasi R. S. Rreth orës 04:00 të po kësaj date, është shoqëruar shtetasi V. B., 37 vjeç, të cilit i janë marrë faktorët plotësues dhe deklarim në lidhje me ngjarjen e mësipërme e më pas është lënë i lirë, ju informojmë se:

Sot me datë 06.07.2023, bazuar në përgjigjen e aktit të ekspertimit kimik, ka rezultuar se në dorën e majtë të shtetasit V. B., janë konstatuar faktorë plotësues të qitjes me armë zjarri. Mbi bazën e këtij akti ekspertimi, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka lëshuar sot më datë 06.07.2023, urdhrin e ndalimit për këtë shtetas për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal. Po sot, rreth orës 20:30, në fshatin Greps, Nikël, është lokalizuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë shtetasi V. B., 37 vjeç, banues në Nikël, Fushë Krujë. Ndërkohë vazhdojnë intensivisht hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së mësipërme.