Gjykata e Fierit ka dhënë vendimin përfundimtar për vrasjen e dyfishtë të ndodhur në Kurjan më 10 shtator 2024, duke dënuar me burgim të përjetshëm Altin Kukën, i akuzuar si autor i krimit.

Në të njëjtin proces gjyqësor, gjykata ka dënuar edhe dy djemtë e tij, Ervis dhe Emauris Kukaj, përkatësisht me 27 dhe 30 vite burg.

Ngjarja e rëndë ndodhi pranë një lokali në pronësi të familjes Kurtaj, ku mbetën të vrarë Gramos dhe Lavdimir Kurtaj pas një konflikti që degjeneroi në përdorimin e armëve të zjarrit.

Sipas hetimeve, përplasja mes familjeve kishte nisur më herët, kur Ervis Kukaj ishte konfliktuar fizikisht me pjesëtarë të familjes Kurtaj dhe kishte qëlluar me armë gjatë incidentit fillestar.

Dosja hetimore tregon se më pas ai ka njoftuar vëllain e tij, Emauris Kukaj, i cili ka marrë një armë automatike dhe është nisur drejt vendit të ngjarjes.

Sipas prokurorisë, Emauris Kukaj ka përgatitur armën për përdorim dhe ka nxitur të atin, Altin Kukën, të hapte zjarr ndaj dy viktimave, duke çuar në ekzekutimin e tyre.

Gjykata vlerësoi se veprimet e të pandehurve ishin të koordinuara dhe të organizuara mes anëtarëve të familjes, çka solli edhe dënimet e rënda ndaj tyre.