Lumi Mat, me një sipërfaqe të basenit ujëmbledhës prej 2809 km², është kthyer në një simbol të shfrytëzimit pa kriter për inerte. Masakra mjedisore që ka nisur tre dekada më parë mbi këtë rrjedhë ujore, është e përqendruar nga Rrësheni, e deri në grykëderdhjen e tij në Adriatik.
Siç edhe dëshmojnë këto pamje, në të dy anët e shtratit të Matit gjenden dhjetëra pika të grumbullimit të inerteve. Rrugët nga kantieri drejt lumit dhe gropat e shkaktuara nga gërryerjet në shtratin e lumit dëshmojnë se aktiviteti vijon normalisht. Asnjë nga institucionet, policia, prefektura, bashkia, administrata e zonave të mbrojtura, inspektoriati kombëtar nuk i shohin Në një përgjigje me shkrim, Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore, që administron lejet për shfrytëzimin e lumenjve, i tha Inside Story se mbi lumin Mat janë vetëm dy subjekte me leje.
Më konkretisht bëhet fjalë për ‘Salillarin’, i cili e ka marrë lejen në vitin 2020 për mirëmbajtjen e autostradës Milot–Morinë. Vlera e inerteve për shfrytëzim është 603 mijë m³ me të drejtë shfrytëzimi deri në fund të koncensionit. Kompania e dytë është “BAMI HOLDING” e cila është pajisur me leje në vitin 2025, për shfrytëzimin e inerteve lumore në shtratin e Përroit të Hurdhës për zbatimin e projektit “Zgjerimi i superstradës Tiranë – Durrës. Vlera e inerteve për shfrytëzim është 60 mijë m³, deri në vitin 2028.
Sipas AMBU, të gjitha subjektet e tjera janë pa leje. Megjithëse kjo është një masakër që zhvillohet në mes të ditës, askush nuk merr asnjë masë. Sa më sipër, çdo subjekt apo individ që ushtron aktivitet në shtretërit e lumenjve, në zonat pranë tyre apo kryen shfrytëzim të materialeve inerte dhe që nuk rezulton i përfshirë në listën e subjekteve të autorizuara që po ju përcillet, konsiderohet se operon pa lejen përkatëse dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për menaxhimin dhe përdorimin e burimeve ujore.
Malet me inerte ndodhen të depozituara anës tij, në mes të një prej arterieve kryesore të vendit, por, asnjë institucion nuk ka të dhëna se sa është sasia që i është marrë lumit. Megjithatë, dokumente të ndryshme të siguruar nga Inside Story dëshmojnë se të gjitha autoritetet janë në dijeni të masakrës që ndodh mbi lumin Mat. Në fund të dhjetorit të vitit 2020, prefekti i Lezhës, i cili sipas ligjit është edhe kryetari i komisionit që miraton lejet për shfrytëzimin e inerteve, i ka dërguar një shkresë zyrtare një sërë institucioneve përgjegjëse për situatën. Ai ngre alarmin për numrin e lartë të subjekteve pa leje që ushtrojnë veprimtarinë e nxjerrjes të inerteve në shtratin e lumit Mat, edhe pse i kanë njoftuar disa herë autoritetet.
Shfrytëzimi i paligjshëm i inerteve nga subjekte pa leje, përveçse ushtrohet hapur, pa u shqetësuar nga askush, deri më sot nuk jemi informuar nga institucionet përgjegjëse për verifikimin e subjekteve pa leje që shfrytëzojnë inertet, që të jenë gjobitur apo ndëshkuar për gjithë këtë krim mjedisor përgjatë lumit Mat. Asokohe në këtë basen ujor ishin të licencuara vetëm 4 subjekte, por prefektura informonte autoritetet se mbi 30 subjekte të tjera e shfrytëzojnë këtë lum pa leje. Pavarësisht këtij alarmi edhe në kanal zyrtar, asnjë institucion nuk reagoi.


