Klos
Përplasje mes familjeve Boja dhe Barmetaj, dëshmitar i tradhtisë apo maniak!
Pronari i lokalit, në të cilin ka punuar prej disa muajsh 23-vjeçari Fatjon Barmetaj, i cili u vra disa ditë më parë në Klos, është distancuar nga përfshirja në ekzekutimin e të riut. Përparim Boja ia ka hedhur përgjegjësinë të vëllait, ndonëse emri i bashkëshortes së tij është përfshirë në këtë ngjarje të rëndë. Familjarët e Fatjon Barmetës thonë se djali i tyre është ekzekutuar, sepse ka qenë dëshmitar i një lidhjeje jashtëmartesore të gruas së pronarit, me mikun e familjes Boja. Sipas prindërve të viktimës, Flora Boja, bashkëshortja e Përparimit, prej kohësh kishte krijuar një lidhje dashurie me Fatjon Canin, mikun e familjes. Bashkëshorti i gruas së përfolur, Përparimi, shprehet se kjo nuk është e vërtetë, duke thënë se 23-vjeçari Fatjon Barmetaj ishte një maniak seksual. Ndër të tjera, pronari i lokalit thotë se 23-vjeçari kishte kërcënuar Flora Bojën se do t’i vriste fëmijët, nëse ajo nuk pranonte që të kryente marrëdhënie seksuale me të. Sipas tij, bashkëshortja nuk ia ka bërë të ditur një gjë të tillë, sepse ka pasur frikë. Gjatë një prononcimi në një prej mediave vizive, Përparim Boja ka kërkuar të japë versionin e tij në lidhje me ngjarjen. “Në emër të familjes sime janë hedhur shumë akuza nga familja e Fatjon Barmetës. Shpifjet që thotë babai i tij, nuk janë të vërteta dhe këtë gjë do ta zbardhë prokuroria, me anë të bisedave telefonike. Ai e ka kërcënuar gruan time vazhdimisht, duke i thënë se do i hidhte fëmijët në lumë. I kam dërguar fjalë familjes për veprimet që bënte, duke i çuar motrën time në shtëpi, që ta lajmëronte”, ka cituar Boja. Ai shprehet i bindur se miku i familjes, Fatjon Cani, nuk është i përfshirë në një lidhje dashurie me gruan e tij, sepse i beson verbërisht e ndër të tjera e ka kushëri të afërt. Ndërkaq, policia ka vënë në pranga edhe Fatjon Canin nga Klosi, i cili dyshohet të jetë bashkautor në krimin makabër. Viktima është gjetur i masakruar në periferi të Burrelit. Trupi i pajetë ishte fundosur në një gropë masive, prej 5 metrash dhe nxjerrja e tij është bërë me fadromë. Organet kompetente ende nuk kanë dalë në një konkluzion të saktë për shkaqet e vrasjes dhe masakrimin e të riut, por po heton në disa pista. Ndërkohë, Astrit Boja ka pohuar në polici se “Fatjon Barmetën e vrava se më ngacmonte kunatën”. Ndërkohë, mësohet se “molla e sherrit”, Flora Boja, është shprehur për grupin hetimor se Fatjon Barmeta e kishte ngacmuar seksualisht disa herë, por ajo kishte bërë rezistencë, madje ka ruajtur edhe disa mesazhe, të cilat sipas saj, Fatjon Barmeta ia dërgonte. Por grupi i ekspertëve zbuloi se cilët nga dy Fatjonët në celularin e saj kish dërguar në të vërtetë mesazhe me përmbajtje erotike. “Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar dhe fakti se prej disa kohësh viktima Fatjon Barmeta është kërcënuar dhe kanosur për jetë nga i dyshuari Astrit (Luis) Boja dhe pjesëtarë të tjerë të familjes së tij”, pohojnë burime të Prokurorisë Burrel.