Shefi i Urgjencës, Skënder Brataj, në një intervistë për Breaking në Top News bëri thirrjen për ruajtjen e masave gjatë ditës së votimit.

Ai tha se është shumë i rëndësishëm respektimi i masave pasi dihet se mund të ketë grumbullime.

Brataj gjithashtu shtoi se është e ndaluar rreptësisht për të infektuarit që të shkojnë në qendrën e votimit.

“Respektimi i masave në qendrat e votimit është tejet i rëndësishëm. Nuk ka masa shtesë, janë ato gjëra që ka pasur deri më tani. Duhet pasur kujdes, ruajtja e distancës, vendosja e maskave, dhe të kihet kujdes me lapsat, stilolapsat. Gjithashtu ata që janë të infektuar nuk duhet të paraqiten në qendrat e votimit, pasi infekton të tjerët. Jeta është e para. Kujdesi duhet të jetë më rigoroz.

Italia e ka pasur gjithë kohës tamponin të detyrueshme dhe të gjithë vendet europiane. Po ashtu edhe Greqia, e mbani mend radhën që u bë atëherë. Sa u paraqit varianti anglez ne mbyllëm fluturimet me Anglinë, imagjinoni lënien e lirë të një kufiri tokësor, kur ju e dini se sa masa të mëdha njerëzish vijnë. Më vjen keq për këtë, por ne mendojmë si profesionistë, shëndeti është i pari,” tha Brataj.