Protestat kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama vijojnë të shoqërohen me tensione në Tiranë, ndërsa paralelisht është hapur debati për ndryshimet ligjore që synojnë ashpërsimin e rregullave për tubimet publike.

Sipas medias franceze “La Libre”, Rama ka prezantuar një paketë masash që parashikon gjoba deri në 5 mijë euro për personat e përfshirë në grumbullime ku ndodhin akte dhune ose dëmtime të pronës. Propozimet përfshijnë gjithashtu kufizimin e tubimeve deri në 72 orë në zona të caktuara, në rastet kur vlerësohet se ekziston një rrezik i menjëhershëm për dhunë.

Në paketën e propozuar parashikohet edhe kompensimi i bizneseve të vogla që pësojnë dëme gjatë protestave, si dhe masa ndaj personave që nxisin ose organizojnë përfshirjen e nxënësve të mitur në tubime.

Megjithatë, këto paralajmërime kanë nxitur reagime të forta nga qytetarët dhe opozita, të cilët shprehin shqetësimin se ndryshimet mund të kufizojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtën kushtetuese për të protestuar.

“Kthim në komunizëm”, qytetarët kundërshtojnë ashpërsimin e ligjit

Gjatë protestës së së dielës në Tiranë, dy pensioniste ngritën shqetësimet e tyre për pasojat që mund të kenë masat e propozuara mbi të drejtat e qytetarëve. Njëra prej tyre vuri në pikëpyetje përgjegjësinë e prindërve për veprimet e fëmijëve, duke kritikuar njëkohësisht mungesën e përgjegjësisë politike për anëtarët e qeverisë që janë nën hetim.

Ajo u ndal edhe te vështirësitë ekonomike me të cilat përballet, duke treguar se jeton me një pension prej vetëm 180 eurosh.

Ndërsa 29-vjeçarja Frida i krahasoi masat e paralajmëruara me periudhën e komunizmit në Shqipëri, duke kundërshtuar mundësinë e censurimit të llogarive në internet që bëjnë thirrje për protesta dhe arrestimin e qytetarëve.

Edhe nga radhët e opozitës kanë ardhur kritika. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi për AFP-në se paketa e propozuar synon të frenojë protestat dhe të vendosë kontroll mbi rrjetet sociale. Sipas tij, masa të tilla cenojnë të drejtat themelore dhe bien ndesh me vlerat e Bashkimit Evropian.

Protestat vijojnë prej javësh, kërkohet dorëheqja e Ramës

Tubimet në kryeqytet janë intensifikuar që prej 13 tetorit, si pjesë e një lëvizjeje proteste që nisi në maj kundër një projekti ndërtimi në një zonë të mbrojtur natyrore, i lidhur me dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump.

Mijëra qytetarë, mes tyre një numër i konsiderueshëm të rinjsh, kanë dalë në rrugë për të kundërshtuar korrupsionin, problemet në universitete dhe mënyrën e qeverisjes së vendit. Kërkesa kryesore e protestuesve mbetet dorëheqja e kryeministrit.

Nga ana e tij, Rama ka deklaruar se largimi i tij nga pushteti nuk mund të imponohet përmes forcës, ndërsa ka ngritur pretendime për ndërhyrje nga jashtë.

Mbrëmjen e së dielës, pranë Kryeministrisë u shënuan përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit. Sipas të dhënave të policisë, një ditë më parë u arrestuan 23 persona, 13 të tjerë u vunë nën hetim dhe 30 persona u shpallën në kërkim.

Autoritetet raportojnë se që nga mesi i tetorit janë regjistruar mbi 300 të plagosur, ndërsa numri i personave të ndaluar gjatë kësaj periudhe është po ashtu i lartë.

Ndërsa qeveria paralajmëron shtrëngimin e kuadrit ligjor për protestat, kundërshtarët e saj paralajmërojnë se kufizimet e mundshme mund të vënë në rrezik ushtrimin e lirive demokratike në vend.